Pyetja:

Cili është qëndrimi i sheriatit përkitazi me destinimin e zekatit për shërimin e të sëmurëve nga kanceri?

***

Përgjigjja:

I tërë lavdërimi i plotë, sinqerisht i takon vetëm Allahut, bekimet dhe paqja qofshin mbi zotëriun tonë, të Dërguarin e Allahut ﷺ.

Nuk ka dyshim se është e lejuar që të destinohen mjetet e zekatit për shërimin e të sëmurëve nga kanceri, nëse ata janë të varfër, apo kanë të ardhura të kufizuara, ashtu që nuk mund t’i mbulojnë harxhimet e mëdha të shërimit të kësaj sëmundje. Allahu i Madhërishëm ka thënë: ‘’Allahu caktoi obligimin që lëmoshat (zeqati etj.) t’ju takojnë vetëm:të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtive në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet’’.(Teube: 60).

Këta të sëmurë të cilët kanë të ardhura të kufizuara, bëjnë pjesë në grupin e parë dhe të dytë të atyre të cilëve u takon ta marrin zekatin, gjegjësisht “el-fukara”( të varfërve) dhe “el-mesakin” (të ngratëve). Këto dy grupe, gjegjësisht të varfurit dhe të ngratët që s’kanë asgjë, ashtu siç kanë nevojë për haje, pije, veshje dhe banesë, poashtu kanë nevojë edhe për t’u shëruar prej sëmundjeve, në veçanti kur është fjala për sëmundje të rrezikshme si kanceri.

Ashtu siç është e lejuar që këto mjete t’u jepen personalisht të sëmurëve që t’i paguajnë harxhimet e kurimit, lejohet që këto mjete t’u jepen organizatave humanitare, të cilat mundësojnë hapjen e qendrave dhe sigurimin e mjeteve medicinale, për të ofruar kujdes mjekësor për këta të sëmurë.

Nëse këtë çështje e analizojmë në raport me umetin islam dhe thirrjen e Islamit për umetin që të jenë të shëndoshë në trup, të fortë dhe të aftë që t’u dalin zot obligimeve për mbrojtjen e vetes dhe të identitetit të vet, mund që ta konsiderojmë këtë pjesë që e destinojmë për këta të sëmurë, në kuadër të kategorisë “fi sebililah” (në rrugën e Allahut), ngase kjo pjesë kontribuon që umeti islam të jenë të aftë për xhihad.

(Fetava muasire-4 Libri është në përkthim e sipër në gjuhën shqipe)

Përktheu: Bashkim Aliu