Pyetja:

A konsiderohet mëkat mallkimi dhe lutja e prindërve kundër fëmijëve të tyre në raste hidhërimi?

***

Përgjigjja:

Fëmijët janë njëra prej dhuratave dhe dhuntive më të çmuara që Allahu xh.sh. u dhuron robërve të Vet. Fëmijët janë stoli dhe zbukurim i kësaj bote. Allahu xh.sh. thotë:

Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (Kehf: 46)

Ata janë kënaqësi e syve të prindërve, zbukurim i jetës së tyre, atëherë si ka mundësi të bëjnë lutje kundër të dashurve të tyre, fëmijëve të tyre?

Pejgamberi ﷺ, na ka ndaluar që të bëjmë lutje kundër fëmijëve, pasurisë dhe vetvetes nga frika se lutja jonë mund t’ia qëllojë momentit të përgjigjes. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos u lutni kundër vetes tuaj, mos u lutni kundër fëmijëve tuaj, e as mos u lutni kundër pasurisë suaj, ngase lutja juaj mund të qëllojë në momentin kur Allahu i përgjigjet lutësit e t’ju përgjigjet edhe juve.” [1]

Vlen të ceket se lutja e prindit siç pranohet kundër fëmijës, pranohet edhe për fëmijën. Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Tre (lloje) lutje nuk ka dyshim se janë të pranuara: lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e tij.” [2]

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Lutja e prindit kundër fëmijës së tij.” [3]

Kjo do të thotë se lutja e prindit për fëmijën e tij është shumë afër pranimit, pavarësisht a lutet kundër tij apo për të.

Është gabim i madh i baballarëve dhe nënave të luten kundër fëmijëve të tyre në rastet kur hidhërohen, por në vend të mallkimit në raste të këtilla prindërit duhet ta lutin Zotin e Madhërishëm që t’i udhëzojë fëmijët e tyre në rrugë të drejtë, t’i përmirësojë sjelljet e tyre dhe t’i kthejë në rrugë të mbarë.

Prej mëshirës së madhe që ka Allahu i Lartësuar ndaj robërve të Vet është se Ai nuk u përgjigjet lutjeve të prindërve kundër fëmijëve të tyre kur janë nën ndikimin e hidhërimit dhe zemërimit. Allahu i Lartësuar thotë:

Sikur Allahu t’ua shpejtonte njerëzve pranimin e kërkesës për të keqen, ashtu si e pranon shpejtimin e kërkesës për të mirën, atyre do t’u përfundonte afati (i vdekjes).” (Junus: 11)

Ibën Kethiri në komentimin e këtij ajeti ka thënë:

“Na njofton i Lartmadhërishmi për butësinë, urtësinë dhe mëshirën e Tij të madhe ndaj robërve të Tij duke mos iu përgjigjur lutjeve të tyre kundër vetes, pasurisë dhe fëmijëve të tyre kur janë në gjendje hidhërimi dhe nervozizmi, ngase Ai e di nga qëllimi i tyre se ata nuk e dëshirojnë të keqen, për këtë arsye nuk u përgjigjet lutjeve të tyre (që përmbajnë mallkim).

Por Ai u përgjigjet lutjeve që bëjnë për veten e tyre, pasurinë dhe fëmijët e tyre me mirësi, begati dhe shtim.” [4]

Megjithatë, siç e cekëm më lart, prindi duhet të ketë kujdes e të mos lutet kundër tyre, sepse duaja, ani pse është për keq, nganjëherë mund edhe të pranohet.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (3009) 74; Ebu Davudi, nr. 1532

[2] Ibën Maxhe, nr. 3862. Albani e ka konsideruar hasen.

[3] Ahmedi, nr. (10708)-10718. Shuajbi e ka konsideruar: hasen li gajrihi. Ndërsa Albani në librin e tij  Sahihu El-Xhamiu nr. 3031 e ka konsideruar hasen.

[4] Tefsiri i Ibn Kethirit, 2/554