Pyetja:

A është më mirë që zekati të jepet në mënyrë të fshehur përmes një personi të tretë, apo mund të jepet edhe në mënyrë të hapur?

***

Përgjigjja:

Fillimisht çdo besimtar duhet të jetë në dijeni se njëri prej kushteve të pranimit të adhurimit është edhe sinqeriteti, pra adhurimi të bëhet vetëm për hir të Allahut dhe të synohet të arrihet kënaqësia e Allahut të Lartësuar, ngase çdo vepër e mirë që kryhet, nëse nuk bëhet për hir të Allahut të Lartësuar, ajo te Zoti zhvlerësohet dhe nuk pranohet.
Allahu xh.sh., thotë:

O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson Allahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar që mbi të ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan. Allahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar.” (Bekare: 264)

Dhënia e zekatit është lëmoshë obligative dhe është kushti i tretë i Islamit. Zakonisht për ibadetet që konsiderohen obligime themelore të Islamit kryerja e tyre publikisht është më me vlerë, siç është falja e pesë kohëve të namazit, agjërimi i Ramazanit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit, etj..

Në rastin konkret, dhënia e zekatit në shoqërinë tonë  mendojmë se është më mirë të bëhet publikisht, ngase përveçse kryejmë një urdhër të Zotit xh.sh., me dhënien e zekatit publikisht ne u bëjmë me dije të gjithë muslimanëve të pasur se edhe ata obligohen të japin zekatin. Dhënia e zekatit publikisht është njëra prej metodave të ringjalljes së parimeve të fesë së Allahut dhe thirrjes së njerëzve në praktikimin e Islamit.

Kurse ibadetet që janë vullnetare, si falja e namazit të natës, agjërimi vullnetar, dhënia e lëmoshës e të ngjashme me to, është më e sinqertë nëse bëhen fshehurazi, në veçanti në rastet kur muslimani frikësohet se mos po i rritet mendja apo mos po i hyn vetja në qejf. Allahu xh.sh. thotë:

Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat. Allahu është i njohur hollësisht për veprat tuaja.” (Bekare: 271)

Sido që të jetë, është me rëndësi që muslimanët të kuptojnë se zekati është farz i Zotit që duhet të kryhet patjetër, ngase në pasurinë e të pasurve Allahu ka caktuar një pjesë të caktuar që është e drejtë e fukarasë, ndërsa a do të kryhet ky farz në mënyrë të hapur apo të fshehur, kjo mbetet të vlerësohet në bazë të situatës, gjendjes dhe interesit të muslimanëve, ngase të dyja mënyrat janë të lejuara.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi