Pyetja:

A lejohet që zekati në ar t’i jepet vëllait? Ai ka shkuar të studiojë dhe nuk ka të ardhura nga askund, vetëm unë e ndihmoj.

***

Përgjigjja:

Dhënia e zekatit të varfërve që i kemi të afërt është e lejuar, madje është më e preferuar, ngase me dhënien e zekatit përveçse ndihmojmë të varfrit, kemi shpërblimin edhe të forcimit të lidhjeve familjare. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lëmosha që i jepet nevojtarit e ka shpërblimin e lëmoshës, kurse lëmosha që i jepet farefisit-të afërmve i ka të dyja: shpërblimin e lëmoshës dhe forcimin e lidhjeve familjare.”[1]

Kusht për lejimin e dhënies së zekatit të afërmve është që të afërmit të jenë të varfër dhe të mos jenë prej atyre që e kemi obligim të përkujdesemi.

Në rastin konkret, nëse vëllai juaj nuk ka prind apo fëmijë që të përkujdesen për të, atëherë ju obligoheni të përkujdeseni për nevojat e tij jetësore, prandaj dhënia e zekatit në këtë rast nuk lejohet, ngase konsiderohet konflikt interesi. Por nëse vëllai juaj ka prindërit ose ka pasardhës, ndërsa ju jetoni me familjen tuaj me buxhet të ndarë nga vëllai, atëherë në këtë rast lejohet t’ia jepni zekatin atij, ngase ju nuk jeni të obliguar të përkujdeseni financiarisht për të.

Pra, rregulli i përgjithshëm është: Zekati lejohet t’i jepet çdonjërit për të cilin nuk jemi të obliguar të përkujdesemi, por nuk lejohet t’i jepet çdonjërit për të cilin jemi të obliguar të përkujdesemi.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Tirmidhiu, nr. 658; Ibën Maxhe, nr. 1844; Nesaiu, nr. 2582. Albani ka thënë: “Hadithi është sahih”.