Pyetja:

A është mirë të fillohet agjërimi para Ramazanit, dhe nëse po, atëherë kur duhet agjëruar?

***

Përgjigjja:

Para muajit Ramazan është muaji Shaban, kështu që preferohet që para ardhjes së muajit Ramazan të agjërohen sa më shumë ditë të muajit Shaban, ngase me agjërimin e ditëve të muajit Shaban besimtari e ushtron organizmin e tij me agjërim, kështu që kur hyn muaji Ramazan, atëherë agjërimi atij i bëhet më i lehtë.

Usame bin Zejdi ka thënë: “Kam thënë: -O i Dërguari i Allahut! Nuk po të shoh të agjërosh në muaj të tjerë aq sa agjëron në muajin Shaban. Ka thënë ﷺ: “Ky është muaji ndaj të cilit shumë njerëz nuk janë të vëmendshëm, muaji në mes Rexhepit dhe Ramazanit. Ky është muaji në të cilin ngrihen veprat te Zoti i botëve, prandaj kam dëshirë që vepra ime të ngrihet duke qenë me agjërim.” [1]

Përpos urtësive të cekura në këtë hadith, për shkakun e agjërimit gjatë muajit Shaban, është edhe ajo që cekëm më lart, të ushtruarit dhe përgatitja për muajin Ramazan.

Sido që të jetë, për ne këtu është me rëndësi të dihet se Pejgamberi ﷺ, ka agjëruar para muajit Ramazan.

Sipas mendimit më të zgjedhur të dijetarëve, nuk lejohet të agjërohen të gjitha ditët e muajit Shaban pa ndërprerje, duke e lidhur me muajin Ramazan, ngase i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka agjëruar asnjë muaj pa ndërprerje me përjashtim të Ramazanit. Aishja r.a. ka thënë: “Nuk di që ndonjëherë i Dërguari i Allahut ﷺ e ka lexuar Kur’anin brenda një nate, e as që ndonjë natë është falur pandërprerë deri në mëngjes, e as që ka agjëruar ndonjë muaj të plotë përveç Ramazanit.” [2]

Po ashtu edhe Ibën Abasi r.a. ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka agjëruar asnjëherë ndonjë muaj të plotë  përveç Ramazanit.” [3]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

—————–

[1] Nesaiu, nr. 2359. Albani ka thënë: “Hadithi është i mirë-hasen”, Sahih el-Xhami, nr. 3711.

[2] Muslimi, nr. (746) 139, në hadith të gjatë, Nesaiu, nr. 2184. Albani ka thënë: “Hadithi është sahih”.

[3] Buhariu, nr. 1971; Muslimi, nr. (1157) 178.