Pyetja:

I Dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Kushdo që ka tri bija dhe tregohet i durueshëm me to duke i ushqyer dhe veshur ato, ato do të jenë mbrojtje për të nga Zjarri.” A do të jenë ato mbrojtje nga Zjarri vetëm për babën, apo edhe nëna do të ketë hise në këtë? Unë kam tri vajza.

***

Përgjigjja:

Hadithi vlen si për babën, ashtu dhe për nënën. Pejgamberi ﷺ po ashtu tha: ”Kushdo që i ka dy bija dhe sillet mirë me to, ato do të jenë për të mbrojtje nga Zjarri.” E njëjta gjë vlen nëse personi ka motra, teze e halla, apo dhe të afërm tjerë nga femrat, dhe sillet mirë me to. Shpresojmë që ai do ta fitojë Xhenetin për këtë. Duke u sjellë mirë me to, ai do të meritojë një shpërblim të madh dhe mbrojtje nga Zjarri, për shkak të kësaj pune të mirë. Dhe kjo vlen vetëm për muslimanë, sepse, kur një musliman i bën këto punë të mira duke kërkuar Kënaqësinë e Allahut, kjo mund të jetë mënyrë e shpëtimit nga Zjarri i Xhehenemit. Ka shumë mënyra për të arritur shpëtimin nga Xhehenemi dhe hyrjen në Xhenet, kështu që besimtarët duhet të mundohen të arrijnë sa më shumë që munden nga këto. Islami, në vetvete, është burimi i vetëm dhe shkaku kryesor për hyrjen në Xhenet dhe shpëtimin nga Zjarri. Ka vepra të cilat, nëse muslimani i kryen ato, do të hyjë në Xhenet dhe do shpëtojë nga Xhehenemi; ndër këto është dhe përkujdesja ndaj bijave dhe motrave, meqë ato do të jenë mbrojtje për të nga Zjarri i Xhehenemit: ”Kushdo që provon vdekjen e tre fëmijëve që s’mbërrijnë pubertetin, ata do të jenë mbrojtje për të nga Zjarri i Xhehenemit. U tha:’O i Dërguar i Allahut, dhe për dy?’ Ai u përgjigj: ’Dhe për dy’”. Por, ata nuk e pyetën për vetëm një fëmijë. Është transmetuar besnikërisht se pejgamberi ﷺ tha: ”Allahu i lartësuar thotë: ’Robi im besimtar s’do të ketë shpërblim tjetër pos Xhenetit, nëse Unë ia marr të dashurin e tij nga njerëzit e dynjasë dhe ai duron duke shpresuar shpërblimin”. Kështu, Allahu i patëmeta sqaron se një rob besimtar s’do të shpërblehet me tjetër pos me Xhenet, nëse Ai i merr ndonjë nga personat e dashur të dynjasë për të dhe ai e mbart këtë me durim duke shpresuar shpërblimin. Fëmijët tanë të vegjël që vdesin para pubertetit, përfshihen në këtë hadith. Kështu, kur një fëmijë vdes dhe baba ose nëna e durojnë këtë duke shpresuar shpërblimin, ata do të arrijnë Xhenetin. Kjo është një mirësi e madhe nga Allahu. E njëjta gjë vlen për bashkëshortët, për bashkëshortet dhe për të gjithë të afërmit apo shokët; nëse ata durojnë dhe shpresojnë shpërblimin, përfshihen në këtë hadith, për sa kohë që kujdesen t’i shmangen ndonjë gjëje që e pengon këtë, siç është vdekja duke ngulmuar në mëkat të madh.

Shejh Ibn Baz

Përktheu: Udha e Besimtarëve