Pyetja:

Jam e sëmurë dhe nuk mund të lëviz. A bën të falem pa abdest dhe a e kam borxh namazin sepse që prej trembëdhjetë vitesh nuk mund të eci dhe tash jam tridhjetë vjeçe.

***

Përgjigjja:

Allahu i Lartësuar i ka obliguar besimtarët që namazin ta falin në të gjitha situatat dhe në çfarëdo forme që kanë mundësi, kur janë të shëndetshëm dhe kur janë të sëmurë.

Prej veçorive të namazit është se nga falja e namazit nuk lirohet askush përderisa ka vetëdije dhe është në gjendje të dallojë të mirën nga e keqja. Pengesat fizike nuk mund të jenë asnjëherë shkak për lirimin nga obligueshmëria e faljes së namazit, ngase namazi falet në forma të ndryshme varësisht prej kushteve dhe mundësive të çdo personi.

Kushtet që duhet të plotësojë një person i shëndoshë për faljen e namazit vlejnë edhe për të sëmurin, si fjala vjen pastërtia personale, marrja e guslit apo abdestit. Mirëpo nëse i sëmuri nuk ka mundësi të marrë abdest, atëherë dikush tjetër duhet t’i japë abdest. Nëse nuk gjendet dikush që ka mundësi t’i japë abdest, atëherë në vend të abdestit i sëmuri merr tejemum me dhé të pastër apo me rërë, ose edhe me prekjen e  ndonjë copë tulle, blloku, tjegulle, qeramidhe, guri e të ngjashëm. Për atë arsye është mirë që të sëmurit t’i lihet afër ndonjë copë tulle, qeramidhe etj., në mënyrë që nëse nuk ka kush t’i japë abdest, ai e zgjat dorën, e merr atë copë tjegulle dhe merr tejemum.

Nëse edhe tejemum nuk ka mundësi të marrë, për shkak se nuk mund të lëvizë fare, ose i ka duart e paralizuara e të ngjashme, atëherë namazin e fal edhe pa abdest në atë formë që ka mundësi. Allahu xh.sh. thotë:

Sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut (veproni atë që mundeni).”
(Tegabun: 16)

Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij.” (Bekare: 286)

Ndërsa Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Kur t’ju urdhëroj për diçka, bëjeni atë sa të mundeni. Ndërsa kur t’ju ndaloj nga ndonjë gjë, atëherë largojuni (në mënyrë të prerë).” [1]

Allahu nuk e ngarkon besimtarin më shumë sesa mund ta bartë. Allahu të ruajttë e ta shtoftë sabrin e të shpërbleftë me xhenet!

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

—————————-

[1] Muslimi, nr. (1337) 412.