Pyetja:

A lejohet për femra falja e namazit pa çorape?

***

Përgjigja:

Njëri prej kushteve paraprake për vlefshmërinë e namazit është edhe mbulimi i pjesëve të turpshme të trupit. Gjatë faljes së namazit femra obligohet me mbulimin e tërë trupit përveç fytyrës dhe shuplakave të duarve. Pejgamberi [ﷺ] ka thënë: “Nuk pranohet namazi i femrës së moshës madhore përveçse me mbulesë.” [1]

Sa i përket mbulimit të shputave të këmbës, duhet të kuptohet se edhe ajo duhet të mbulohet dhe nuk bën të duket gjatë namazit, ngase është avret. Kështu mendojnë malikitë, shafitë hanbelitë dhe shumë hanefi, madje është mendim bazë i hanefive [2]. Këtë mendim e vërteton:

1. Fjala e Allahut të Lartësuar:

“Të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme.” (Nur: 31)

Ibën Abbasi dhe Aishja r.a. thonë: “Prej atyre që janë të dukshme janë fytyra dhe shuplakat.” [3]

Nuk përmendën shputat, çka tregon se shputa është avret, ngase nuk është prej pjesëve që janë të dukshme.

2. Transmetimi nga Ummu Seleme r.a., e cila e ka pyetur të Dërguarin e Allahut [ﷺ]: “Femra që s’ka mbulesë (veshje të mjaftueshme), a mund të falet me këmishë dhe me shami?” Pejgamberi tha: “Mundet nëse këmisha (fustani) është e gjatë dhe ia mbulon shpinën e shputave.” [4]

3. Transmetimi nga Ibën Umeri r.a., i cili thotë: “I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush e tërheq rrobën (zvarrë për toke) nga mendjemadhësia, Allahu nuk do ta shikojë atë në Ditën e Kiametit.” Ummu Seleme ka thënë: “Si të veprojnë femrat me fundet e tyre?” Pejgamberi ka thënë: “Lëshojnë një pëllëmbë (nën shputat e tyre).” Ummu Seleme përsëri pyeti: “E nëse u zbulohen këmbët (shputat)?” Pejgamberi tha: “Lëshojnë (nën shputat e tyre) një bërryl dhe të mos shtojnë.” [5]

Kjo jep të kuptohet se për të mos iu dukur thembra apo shputa, ua lejoi ta tërheqin fustanin zvarrë edhe sa një bërryl.

Argumentet e sipërpërmendura tregojnë se duhet të mbulohet i tërë trupi i femrës përpos shuplakave të duarve dhe fytyrës. Hadithi i Ummu Selemes është më i qarti që tregon se është obligim mbulimi i shputave të këmbës, çka është edhe mendim i shumicës dërrmuese të ulemave.

Mirëpo përderisa rreth hadithit ka fjalë, siç e pamë më lart tek transmetimi i këtij hadithi, dhe se ka shumë ulema që e kanë bërë të dobët, pastaj duke parë parasysh edhe mendimin e disa dijetarëve hanefi e të tjerë, si Thevriu, pastaj Muzeniu nga shafitë, Ibën Tejmije nga hanbelitë[6] e të tjerë, nuk do të mund të thosha se nëse gjatë namazit i duket një pjesë e shputës apo krejt shputa, namazi i saj nuk pranohet dhe se ajo duhet ta përsërisë namazin. Por megjithatë ajo duhet të mbulohet, së paku është më e qetë, e mendoj se kjo mjafton. Allahu e di më së  miri këtë.

Vlen të ceket se nëse femra përton të mbathë çorape apo nuk ka fare, atëherë mund ta lëshojë rrobën që ka veshur, fustanin, mantelin, çarçafin, etj., t’i lëshojë poshtë sa t’i prekë në tokë, në mënyrë që kur të bjerë në sexhde të mos i duket shputa.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

—————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 641; Tirmidhiu, nr. 377, dhe Ibën Maxhe, nr. 355. Tirmidhiu ka thënë: “Hadith hasen”. Ndërsa Albani e ka saktësuar në Sahih el-Xhami, nr. 7747, pastaj në librin e Ebu Davudit dhe në librin e Tirmidhiut.

[2] Është Dhahir Er-Rivaje.

[3] Tefsir et-Taberij, 18/118, dhe Ma’rifetu es-Sunen, 2/91.

[4] Ebu Davudi, nr. 640; Hakimi, 1/250, dhe ka thënë: “Hadithi është i vërtetë sipas kushteve të Buhariut, edhe pse nuk e ka transmetuar”. Shevkaniu në Nejl el-Evtar, 2/77, ka thënë: “Hadithin e Ummu Selemes e transmeton gjithashtu edhe Hakimi, por Abdulhakk e ka bërë të dobët dhe ka thënë se është transmetuar mevkuf”. Ibën Haxheri ka thënë: “Kjo është e vërtetë”. Ibën Haxheri në Subul es-Selam Sherh Bulugul meram, 1/275, thotë: “Imamët e kanë bërë sahih këtë hadith mevkuf”. Por në anën tjetër shumë ulema e kanë bërë hadithin e dobët, ndër ta Albani, i cili në Temam el-Minne, faqe 161, ka thënë: “Isnadi i këtij hadithi nuk është i vërtetë, as merfu e as mevkuf, ngase ai sillet rreth Ali bin Muhamed bin Zejdit, i cili është i panjohur”.

[5] Tirmidhiu, nr. 1731, dhe ka thënë se hadithi është hasen sahih.

[6] Mexhmu’u el-Fetava, 21/114.