Pyetja:

A lejohet falja e namazit të xhenazes në varreza?

***

Përgjigjja:

Në parim, namazi që përbëhet prej rukusë dhe sexhdes ndalohet të falet në varreza, duke u bazuar në hadithin që transmetohet nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “Krejt toka është xhami (bën të falesh në çdo vend), përpos varrezave dhe banjave.” [1]

Gjithashtu në hadithin tjetër të Pejgamberit ﷺ transmetohet se ka thënë: “Mos u ulni mbi varre dhe mos u falni në to!” [2]

Kurse namazi i xhenazes lejohet të falet në varreza, ngase nuk përbëhet prej rukusë dhe sexhdes, prandaj dhe hyn në kategorinë e lutjes dhe kërkimit të faljes për të vdekurin. Këtë e vërteton edhe ngjarja e një burri (apo gruaje) që fshinte xhaminë dhe kur vdiq, nuk i treguan Pejgamberit ﷺ, por ia falën xhenazen dhe e varrosën pa dijen e tij. Kur e kuptoi, ai tha: “Më tregoni cili është varri i tij (i saj)”, dhe iu afrua afër varrit dhe ia fali xhenazen.” [3]

Kjo do të thotë se ai ia fali xhenazen te varri pas varrimit. E nëse lejohet kjo, atëherë gjithsesi lejohet edhe falja e namazit të xhenazes para varrimit në varreza.

Mirëpo pa dyshim se falja e namazit të xhenazes jashtë varrezave është më e preferuar, për shkak të pjesëmarrjes më të madhe të xhematit në lutjen për të vdekurin si dhe evitohet shkelja e ndonjërës prej rregullave që ndodhin shpeshherë gjatë varrimeve, siç është shkelja mbi varret, etj..

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 492; Tirmidhiu, nr. 317; Ibën Maxhe, nr. 745. Albani ka thënë se është sahih.

[2] Muslimi, nr. (972) 97.

[3] Buhariu, nr. 458; Muslimi, nr. (956) 71.