Pyetja:

Unë jam një djalosh i ri i cili praktikon sunetin. Babai dhe vëllai im më pengojnë shumë në praktikimin e sunetit, qoftë me ofendime por edhe nganjëherë me goditje dhe rrahje. Babai im ma merr pagën e rrogës të tërën dhe nuk më lënë mua fare të mbaj me vete të holla nga rroga ime. Vëllai im i urdhëron prindërit dhe fëmijët e tij që të më lënë anash, të më ofendojnë. Çfarë të bëjë unë në këtë rast dhe si të sillem me ata, a duhet të largohem nga shtëpia dhe ta praktikojë sunetin apo si?

***

Përgjigjja:

Ty të takon të bësh durim me prindërit dhe me vëllaun tënd. Mundohu t’i përballosh cytjet dhe sjelljet e tyre jo të mira. Bëhu i qëndrueshëm në fenë tënde dhe qëndro në rrugën e hakut (praktikimin e sunetit) pavarësisht sjelljeve të tyre. Ti inshallah do shpërblehesh nga ana e Allahut. Ndërsa, thua se babai yt e merr rrogën tënde. Mos harro se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ti dhe pasuria jote jeni prona (nën pronësinë) e babait tënd.” [1]
Llogarite këtë si respekt, bamirësi dhe sadaka për babain tënd dhe shpreso në shpërblimin e Allahut, e mos u dorëzo. Dhe nëse vazhdon kjo trysni e tyre gjatë dhe ty të rrezikohet feja yte, zgjidhja fundit dhe e padëshiruar është të largohesh prej tyre dhe të jetosh shtëpi në vete (por duke mos harruar vizitën e prindërve dhe bamirësinë ndaj tyre) e të vazhdosh ta praktikosh fenë pa pengesa.

Shejh Dr. Salih bin Feuzan el Feuzan

Përktheu: Suad B. Shabani

——————————

[1] Ibn Maxhe: 2291