Pyetja:
Gusli që e marrim për qejf gjithashtu ai për ditën e xhuma a është i mjaftueshëm për të mos marrë prapë abdes apo jo? Pra a e zëvendëson abdesin?
***
Përgjigjja:
Gusli ndahet në dy grupe kryesore:
Farz dhe jo farz (ndoshta bën të themi synet por nuk po e shoh të arsyeshme)
Gusli farz sipas të gjithë dijetarëve është gusli i xhenabetit, i hajzit dhe nifasit.
Gusli jo farz është ai për pastrim nga djersa, për freskim të trupit, etj., ekziston edhe ai i larjes për xhuma që kanë divergjenca dijetarët se në radhët e farzit apo synetit futet ai.
Mbi këtë ndarje pastaj ngritet kjo çështje:
Të gjithë dijetarët pohojnë se gusli i llojit të parë- farz ai e zëvendëson edhe abdesin, dhe për të nuk ka nevojë marrja abdes në banjo para larjes e as pas saj (edhe pse ajo është në radhët e syneteve të guslit por nuk kushtëzohet për tu konsideruar ai lloj gusli zëvendësues I abdesit). Bile ata thonë se nëse nuk bënë nijet abdesin por mjaftohet me nijetin e guslit prapë është në rregull sepse obligimi i vogël futet brenda të madhit. [1]
Ky mendim argumentohet me ajetet e sures Maide nr. 6 dhe asaj Nisa nr. 43 që e përmendin guslin se kur është obligim dhe në këto ajete ceket se kjo lloj larje me tre kushtet e saj kryesore ua lejon besimtarëve faljen e namazit. Gjithashtu argument është fjala e Profetit ﷺ e shënuar tek Muslimi se si e mësoi një grua të merrte gusël pas hajzit e nifasit të saj ku pasi ja përmendi farzet e guslit i tha: nëse vepron kështu atëherë je pastru pra për namaz dhe çdo adhurim tjetër dduke mos ja cekur edhe marrjen e abdesit -kështu komentojnë dijetarët. [2]
Kurse për llojin e dytë të guslit atë që merret për qejf dhe gjërat tjera që i cekëm më lartë një pjesë e vogël e dijetarve pranojnë se është i mjaftueshëm porse shumica thonë se nuk mjafton për ta zëvendësuar abdesin porse për të qenë i tillë kushtëzohen dy gjëra:
E para: nijeti për të dyjat -gusël dhe abdes- dhe
E dyta: larja e posaçme e pjesëve të abdesit të gjithave para apo pas larjes së trupit.
Përndryshe nëse vetëm e lanë gojën hundën dhe trupin (sikur janë farzet e guslit atëherë nuk e zavendëson abdesin por për namaz duhet marrë prap abdes).
Tani kemi çështjen e guslit për ditën e xhuma:
Dijetarët janë të dy mendimeve a është ai farz apo jo, ata që thonë nuk është farz pranojnë se ky lloj gusli nuk e zëvendëson edhe abdesin, kurse ata që thonë se është farz edhe ata si shumicë absolute prapë thonë se nuk e zëvendëson sepse nuk është përmendur në ndonjë ajet apo hadith si zëvendësues, kurse ata që mendojnë se e zëvendëson abdesin prapë pranojnë se është më sigurt që të merret abdes, pra që të gjithë thuajse sillen rreth të njejtit mendim.
Pasi të kuptohet kjo çështje lindë pyetja: çfarë të bëjë njeriu që ka vepruar në këtë mënyrë deri tani, a i pranohen namazet apo jo?
Si në çdo çështje tjetër edhe tek kjo dijetarët njeriun e arsyetojnë me injorancë dhe thonë se nuk ka nevojë t’i zëvendësojë apo përsëritë ato namaze porse pasi ta kuptojë këtë gjë nuk duhet ta përsëritë më të njejtin gabim.
Allahu e di më së miri!
Lulzim Susuri
———————-
[1] Shejh Uthejmini, “Sherh Mumti” v. 1, fq. 367)
[2] Ibën Tejmie, “Fetava” v. 21, fq. 396)