Pyetja:
Jam në një lidhje serioze (i fejuar) me një vajzë muslimane. Që një vit jam me të bashkë, e duam shumë njëri-tjetrin. Para se të fejohesha kam qenë në dijeni që kjo vajza ka pasur një lidhje me një djalë. Ka ardhur koha e martesës dhe kur unë i bëra pyetje se a është e virgjër apo jo, më është përgjigjur “po jam”. Pasi i kam bërë paksa presion në këtë gjë, më ka treguar një histori shumë të dhimbshme.
E fejuara ime është jetime dhe gjatë lidhjes së parë me atë mashkull, ai e ka dhunuar dhe e ka rrahur që të mos i tregonte askujt se do ta mbyste. Kjo, në mënyrë që mos t’i krijonte telashe vëllezërve nuk ia ka treguar këtë rast askujt. Unë i besoj të fejuarës sime dhe e di që nuk më gënjen. E njoh prej shumë kohësh edhe para se të fejohesha e të lidhesha me të, por tani kjo gjë mua me brengos shumë. Kam frikë se ndonjë ditë do të dalë në shesh pasi ai djali është një idiot i madh edhe pse tani e njoh por ai mua akoma jo. Ju lutem më këshilloni se çfarë të bëj unë tani. A është vonë ta ndërpres lidhjen apo më këshilloni që ta vazhdoj lidhjen e të bëj martesë? Mua tani më pengon shumë pse nuk është e virgjër dhe pengesa tjetër është se frikësohem të më dalë emri i pamoralshëm po të merret vesh nga të tjerët. Jam në hall. Ju lutem më ndihmoni se çfarë të bëj.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Fillimisht më imponohet të ritheksoj pozicionin fetar për sa i përket çështjes së lidhjes mes një femre dhe një mashkulli. Them të ritheksoj se shumë nga pyetjet që vijnë në këtë web faqe shtrojnë hallet apo problemet e tyre dhe e kalojnë komplet fillimin apo lidhjen e tyre me femra apo anasjelltas dhe na fusin në problem duke menduar se ajo lidhje është komplet në rregull dhe sikurse krimi ka filluar më vonë, por harrojnë që forma që kanë përzgjedhur ata në lidhjen e tyre është krimi më i madh.
Nuk lejohet në asnjë mënyrë që një mashkull dhe një femër të krijojë lidhje çfarëdo qofshin ato përpos nëse ka mes tyre akt martesor. Por lejohet të pyesni për njëri-tjetrin me ndërmjetësues e pastaj të dilni të shiheni, por gjithsesi duke qenë aty një anëtar i familjes së vajzës e tani pas kurorës mund të krijoni lidhje e dashuri.
Kurse sa i përket problemit tënd nëse ti para se të fejohesh ke kërkuar nga ajo që të tregojë realitetin e së kaluarës së saj dhe ajo s’të ka treguar drejt është plotësisht e drejtë e jotja ta lëshosh atë, por pasi ju paskeni një besim të madh tek ajo, pas gjithë kësaj atëherë mund të vazhdoni edhe të martoheni me të dhe t`ia mbuloni asaj këtë mëkat të madh. Këtë e rekomandojmë sidomos nëse ju e keni kuptuar gjendjen e saj dhe keni fjetur me të. Gjithashtu duhet të kesh parasysh që po e pranove në këtë mënyrë, ti duhet ta fshish nga truri yt këtë ndodhi dhe të mos e kujtosh kurrë pasi të kujtuarit e saj të lëndon dhe të sjell telashe në jetë me të.
Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi