Pyetje
Kam fituar një shumë parash në një kuiz televiziv. Tani dëshiroj të lirohem nga këto para, prandaj më intereson cilat janë mënyrat e preferuara, a lejohet t’i jap lëmoshë?
Përgjigje
Falënderimi i takon Allahut, lavdia dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:
Kuizet që realizohen duke thirrur në numra të caktuar dhe duke shpenzuar çmimin e thirrjes, me shpresë që të fitosh, këto kuize llogariten prej llojeve të bixhozit.
Allahu i Madhëruar thotë:
“O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.”
(Maide: 90)
Realiteti i bixhozit është: Dhënia e një pjese të pasurisë duke hyrë në rrezik për ta humbur, apo për të fituar më shumë.
Përjashtim nga kjo bëjnë gara e kalërimit, shigjetimit dhe sportet e tjera të ngjashme me to, që e aftësojnë njeriun për luftë në rrugë të Allahut dhe përhapjen e Islamit.
Ai që bie në këto gabime e ka për detyrë të pendohet tek Allahu dhe të lirohet nga pasuria që ka fituar në këtë mënyrë, duke e shpenzuar atë në punë bamirësie, duke ua dhënë të varfërve, të mjerëve, apo duke i dhënë për interesa publike, si për shembull për shkolla dhe të tjera që u sjellin dobi muslimanëve.




