Pyetja:
Kësmetin a e bën njeriu apo është i caktuar nga Zoti?
***
Përgjigjja:
Duhet ta dini se besimi ynë mbështetet në gjashtë baza kryesore. E gjashta prej tyre është të besohet në Caktimin e Allahut, se gjithçka që ndodh në këtë gjithësi, ndodh me dijen dhe caktimin paraprak të Allahut.
Mos e lodhni veten me paramendime e paragjykime, sepse nuk do t’ia arrini dot të dilni me ndonjë rezultat të shëndoshë përpos ta lëndoni veten dhe të mos qetësoheni në besim, gjë që është kërkesë permanente e djallit të mallkuar.
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur te Allahu se besimtari i dobët, edhe pse në të dy ka hair. Përkushtohu në atë që të bën dobi, kërko ndihmë prej Allahut dhe mos u dobëso! Nëse të godet ndonjë gjë, mos supozo të thuash: “po të veproja këtë do të ndodhte kështu apo ashtu”, por thuaj: “Caktim i Allahut ishte. Atë që e dëshiroi, ndodhi”, sepse supozimi hap veprimin e djallit.” [1]
Kjo nuk do të thotë se ne në veprimet tona paraprakisht duhet t’i mbështetemi Kaderit, sepse atë ne nuk e dimë. Përkundrazi ne i marrim shkaqet e veprimit sipas matjeve që na ka mësuar feja. Ne assesi nuk mund të dalim me planet tona jashtë caktimit të Allahut. E nëse nuk ndodh ajo siç ne dëshirojmë apo angazhohemi, atëherë patjetër duhet ta dimë se caktimi i Allahut ka qenë ndryshe nga dëshira jonë.
Merreni veten me të mirë dhe shikojeni perspektivën tuaj duke mos iu gjunjëzuar shejtanit të mallkuar për asnjë çast, që ai të luaj me besimin tuaj fillimisht, dhe me jetën tuaj në vazhdimësi!
Muhamed Dërmaku
——————-
[1] Muslimi