Pyetja:

Kur Pejgamberi ﷺ ka thënë: ʺAllahu e ka krijuar Ademin sipas imazhit të Tijʺ, kujt i është referuar pjesa ʺimazhit të tijʺ dhe si duhet ta kuptojmë këtë?

***

Përgjigjja:

Imam Ibn Tejmije ka thënë: “Fjala sureh/imazh në këtë hadith është sikurse të gjithë emrat dhe cilësitë e tjera të transmetuara në tekst, ku fjalët e përdorura mund të zbatohen edhe te qeniet e krijuara, por në një mënyrë të kufizuar. Kur këto fjalë kanë të bëjnë me Allahun, ato mbartin një domethënie unike, si el‐Aliim/i Gjithëdijshmi, el‐Kadiir/i Plotfuqishmi, e‐Rrahim/Dhuruesi i mëshirës, e‐Samii/që dëgjon gjithçka, el‐Basiir/që sheh gjithçka, si dhe të krijuarit nga ana e Tij me duart e Tij, ngritja mbi Fronin, etj.
Mu siç gjithçka që ekziston duhet të ketë cilësi, ashtu edhe gjithçka që ekziston, në vetvete, duhet të ketë një imazh. Është e pamundshme që diçka që ekziston të mos ketë imazh. Nuk ka pasur mospajtime mes selefëve të tre gjeneratave të para rreth asaj se përemri në hadith i referohet Allahut, dhe kjo është transmetuar nëpërmjet shumë zinxhirëve të transmetimit nga shumë sahabë. Kontekstet e haditheve tregojnë në këtë.” [1]

Ibn Kutejbe ka thënë: ʺQë Allahu të ketë imazh sʹështë më e çuditshme sesa pasja e dy duarve, gishtërinjve apo syve të Tij. Këto pranohen lehtë, sepse përmenden në Kurʹan, kurse kjo ide (e imazhit) konsiderohet e çuditshme, sepse nuk përmendet në Kurʹan. Por, në besojmë në të gjitha këto dhe nuk diskutojmë se si mund të jenë këto.ʺ [2]

Shejh Ibn Baz në lidhje me këtë shprehet: “Ky hadith është vërtetuar nga Pejgamberi ﷺ. Në të thuhet: ʺNëse ndonjëri prej jush godet tjetrin, le tʹi shmanget fytyrës, se Allahu e ka krijuar Ademin sipas imazhit të Tij.ʺ Sipas një versioni tjetër: ʺNë imazhin e më të mëshirshmit.ʺ Kjo nuk nënkupton ngjasim. Ajo që mendohet me këtë, sipas dijetarëve, është se Allahu e ka krijuar Ademin me mundësinë për të dëgjuar dhe për të parë, si dhe për të folur kur të dojë. Këto, po ashtu, janë edhe cilësi të Allahut, sepse Ai dëgjon gjithçka, sheh gjithçka, flet kur të dojë dhe Ai ka fytyrë, qoftë i Lartësuar e i Madhëruar. Por, kjo nuk nënkupton ndonjë ngjasim. Ajo që mendohet me këtë është se Ai dëgjon gjithçka, sheh gjithçka, flet kur të dojë, dhe e ka krijuar Ademin të aftë për të dëgjuar dhe për të parë, me fytyrë, me duar e me këmbë. Mirëpo, dëgjimi i njeriut sʹështë sikur dëgjimi i Allahut. Të parët e tij sʹështë sikur të parët e Allahut. E folura e tij sʹështë sikur e folura e Allahut. Allahu ka cilësi që i përshtaten madhështisë së Tij, njeriu ka cilësi që i përshtaten atij, cilësi të kufizuara dhe të papërsosura. Kurse, cilësitë e Allahut janë të përsosura e të pafundme. Allahu thotë:

Asgjë sʹështë sikur Ai. Ai dëgjon gjithçka, sheh gjithçka.” (Shura: 11)

Sʹka asnjë të barabartë me Të apo të krahasueshëm me Të.” (Ikhlas: 4)

Pra, sʹështë e lejueshme të goditet fytyra apo të thuhet ʺAllahu ta shëmtoftë fytyrën.ʺ [3]

Përshtati: Udha e Besimtarëve

————————

[1] “Nekd el‐Teʹsiis” 3/396

[2] “Teʹuil Mukhtelif el‐Hadith”, fq. 221

[3] “Mexhmu Fetaua” 4/226