Pyetja:

Ku është më mirë që ta jap zekatin?

***

Përgjigjja:

Allahu i Madhërishëm në mënyrë të qartë i ka përmendur në Kur’an tetë kategori që meritojnë të përfitojnë nga pasuria e zekatit. Allahu xh.sh., thotë:

Allahu caktoi obligim që lëmosha (zekati etj) t’ju takojnë vetëm: Të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së Vet.” (Tevbe: 60)

Nga ajeti i lartpërmendur kuptojmë se kategoritë të cilave u jepet zekati janë tetë, prandaj dhënia e zekatit cilitdo prej grupeve të lartpërmendura është e lejuar.

Mirëpo nëse shtrohet pyetja se cilit prej këtyre grupeve duhet t’i jepet përparësi, atëherë themi se është e drejta e dijetarëve dhe organeve kompetente që të bëjnë vlerësimin se cilit prej këtyre tetë grupeve duhet t’i jepet përparësi dhe prioritet dhe kjo mund të ndryshojë në bazë të kohës dhe vendit, varësisht prej situatës në të cilën ndodhen muslimanët. Nëse muslimanët janë në gjendje lufte, atëherë kuptohet se përparësi duhet t’u jepet nevojave të ushtrisë. Nëse muslimanët kanë mungesë thirrësish,  misionarësh, në rrugë të Allahut, atëherë përparësi i duhet dhënë shkollimit dhe përgatitjes së dijetarëve dhe përhapjes së diturisë në mesin e njerëzve, etj.

Pra, varësisht prej situatës mund të përcaktohet se ku është interesi më i madh për Islamin dhe muslimanët. Mirëpo pasi të varfrit ekzistojnë në çdo shoqëri, atëherë nuk duhet harruar asnjëherë pjesa e së drejtës së të varfërve në pasurinë e të pasurve, ngase Allahu i Lartësuar u ka dhënë përparësi të varfërve duke e filluar përmendjen e atyre që u takon zekati me të varfrit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi