Pyetje:

Kur je i sëmurë dhe nuk ndihesh mirë, a është mëkat lënia e namazit?

***

Përgjigjja:

Muslimanit në asnjë mënyrë nuk i lejohet që pa arsye të mos e falë namazin në kohën e vet, por duhet të kujdeset që namazin ta falë në çdo situatë, kur është i shëndetshëm e kur është i sëmurë, kur është në paqe dhe kur është në luftë. Namazi nuk lihet edhe nëse je në burg, edhe kur nuk ke ujë për pastrim, edhe kur nuk e di drejtimin e kibles, madje edhe nëse nuk ke rroba për mbulimin e trupit namazi nuk lihet, ngase namazi është shtylla kryesore e Islamit dhe është prej obligimeve më të rëndësishme në Islam pas dy dëshmive (shehadetit). Allahu xh.sh. thotë:

“Me të vërtet namazi për besimtarët është i përcaktuar në kohë të caktuar (çdo namaz ka kohën e vet).” (Nisa: 103)

Allahu xh.sh. nga mëshira e Tij për çdo namaz ka kufizuar kohën e parë dhe kohën e fundit të tij, prandaj nëse nuk ke mundësi ta falësh namazin në kohën e parë, atëherë ke mundësi ta falësh deri në kohën e tij të fundit të përkufizuar. Xhibrili (alejhi selam) pasi i ka falur së bashku me Pejgamberin [ﷺ] pesë kohët e namazit në kohën e parë dhe në kohën e fundit, i ka thënë: “O Muhamed, kjo është koha e namazeve të Pejgamberëve që ishin para teje, prandaj koha e namazeve është në mes dy kohëve (koha e parë dhe koha e fundit).”[1]

Prandaj nuk i lejohet muslimanit ta vonojë faljen e namazeve obligative derisa të kalojë koha e tyre edhe në gjendjen kur është i sëmurë, por duhet ta falë namazin në atë formë që ka mundësi; pra, nëse nuk ka mundësi në këmbë, atëherë ulur, nëse nuk ka mundësi ulur, atëherë shtrirë. Me fjalë të tjera, përderisa muslimani ka vetëdije të shëndoshë, nuk i lejohet lënia e namazit, por duhet ta falë namazin në atë gjendje që ka mundësi.

Në një rast Pejgamberi [ﷺ] i drejtohet Imran bin Husajnit, i cili ishte i sëmurë, duke i thënë: “Falu në këmbë, por nëse nuk ke mundësi, atëherë ulur, por nëse nuk ke mundësi, atëherë i shtrirë…” [2]

Gjithashtu të sëmurit i lejohet të bëjë bashkimin formal të dy namazeve, si p.sh. namazin e drekës ta falë në fund të kohës së tij, kurse namazin e ikindisë ta falë në fillim të kohës së tij. Mirëpo nëse të sëmurin e rëndojnë dhembje të forta, atij i lejohet bashkimi i dy namazeve, ashtu që fal drekën dhe ikindinë së bashku në kohën e drekës ose në kohën e ikindisë, apo akshamin e jacinë në kohën e akshamit ose në kohën e jacisë kur të dojë apo kur ta ndiejë veten pak më të qetë, kur i pushojnë pak dhembjet. Transmetohet se Pejgamberi [ﷺ] i ka lejuar një gruaje, e cila kishte gjakrrjedhje të pandërprerë, t’i bashkojë dy namaze [3]. Vlen të theksohet se të sëmurit që i bashkon dy namazet nuk i lejohet shkurtimi i farzeve, ngase shkurtimi i farzit të namazit është i posaçëm vetëm për udhëtarin.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 393; Nesaiu, nr. 503. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.

[2] Buhariu, nr. 1117

[3] Ebu Davudi, nr. 287; Tirmidhiu, nr. 128, dhe ka thënë: “Hasen sahih”. Ndërsa Albani ka thënë: “Hadithi është hasen”.