Pyetja:
Kur dhe si duhet falur namazi i vitrit?
***
Përgjigjja:
Namazi i vitrit është sunet i fortë. Profeti ﷺ e ka falur gjithmonë edhe kur ka qenë në udhëtim [1] dhe i ka inkurajuar njerëzit për faljen e tij.
Transmetohet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ai ka thënë: “Vitri nuk është i detyrueshëm ashtu si namazet e detyrueshme, por ai është sunet që e vendosi i Dërguari i Allahut ﷺ.”
[2]
Tek Ibën Maxhe është: Vitri nuk është i domosdoshëm siç janë namazet e detyrueshme, por i Dërguari i Allahut ﷺ e falte vitrin dhe tha: “O ju ithtarët e Kuranit! Faleni vitrin (tekun), sepse Allahu është Tek dhe e do tekun!” [3]
Ky namaz përbëhet nga një rekat, së paku, dhe njëmbëdhjetë rekate më e shumta. Profeti ﷺ ka thënë thënë:
“Fundin e namazit tuaj të natës faleni tek.” [4]
Transmetohet nga Ebu Ejubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Namazi i vitrit është e drejtë e Allahut. Kush dëshiron ta falë me pesë rekate, le ta bëjë e kush dëshiron ta falë me tri rekate, le ta bëjë dhe kush dëshiron ta falë me një rekat, le ta bëjë.” [5]
Koha e tij
Koha e tij fillon pas namazit të jacisë deri në lindjen e agimit. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ajo ka thënë: “Nga e gjithë nata, i Dërguari i Allahut ﷺ e ka falur vitrin në fillim të saj, në mes të saj dhe në fund të saj, por në fund, vitri i tij ishte deri në kohën e syfyrit.” [6]
Kush frikësohet se nuk ngrihet dot për namaz nate, atëherë le ta fal vitrin para se të fle. Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush frikësohet se nuk do të zgjohet në fund të natës, le ta falë vitrin para se të flejë, kurse ai që është i sigurt se do të ngrihet në fund të natës, ta falë në fund të saj, sepse leximi i Kuranit në fund të natës është i dëshmuar (prezantojnë engjëjt) dhe kjo është më e mira.” [7]
Çfarë lexohet në namazin e vitrit?
Transmetohet nga Ubej bin Keab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Në namazin e vitrit, i Dërguari i Allahut ﷺ lexonte “Sebbihisme rabbikel-eala”, “Kul ja ejjuhel-kafirun” dhe “Kul huvAllahu ehad”. Ai nuk jepte selam veçse në fund të tre rekateve”. [8]
Duaja e kunutit që thuhet në namazin e vitrit
Transmetohet nga El Hasen bin Ali (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më mësoi disa fjalë që t’i them në lutjen (kunutin) e namazit të vitrit: “O Zot! Më udhëzo bashkë me ata që ke udhëzuar! Më jep shëndet bashkë me atë që u ke dhënë shëndet! Më ruaj dhe më përkrah bashkë me ata që ke ruajtur e përkrahur! Më jep begati në atë që më ke dhënë! Më ruaj nga e keqja e asaj që ke caktuar, sepse vetëm Ti cakton gjithçka dhe askush nuk cakton mbi Ty! Askush nuk poshtërohet nëse Ti e përkrah dhe e bën mik. I Pastër nga çdo e metë je Ti, o Zoti ynë, dhe i Lartësuar.” [9]
Duaja që thuhet në përfundimin e namazit të vitrit
Prej Sunetit është që në fund të vitrit ose pas tij, personi të thotë atë që transmetohet nga Ali bin Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari i Allahut ﷺthoshte: “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike – O Zoti im, të lutem që me anë të kënaqësisë tënde të më mbrosh nga hidhërimi Yt! E me faljen tënde të më mbrosh nga dënimi Yt! Kërkoj mbrojtjen tënde nga Ti! Unë assesi nuk mund të të madhëroj ashtu siç e meriton. Ti je i Madhëruar ashtu siç e ke përshkruar Veten Tënde.” [10]
Neveviu ka thënë: “Është e pëlqyeshme (mustehab) që pas vitrit personi të thotë tri herë: “Subhanel malikul kuddus” dhe “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.” [11]
Shejh Albani thotë: “Prej Sunetit është që personi në fund të vitrit të tij (para dhënies së selamit ose pas tij) të thotë: “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.” [12]
Shejh Ibën Bazi thotë: “Prej duave të tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.” [13]
Komisioni i Përhershëm për Fetva thotë: “Po ashtu ajo që transmetohet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari i Allahut ﷺ thoshte në fund të vitrit të tij: “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.” [14]
Shënim: Shtesa “rabbil melaiketi uer-ruh” te duaja “Subhanel-malikul kuddus” pas vitrit nuk saktësohet (është daif).
Prej sunetit është dhe falja (ndonjëherë) e dy rekateve pas namazit të vitrit
Transmetohet nga Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se: “I Dërguari i Allahut ﷺ falte dy rekate pas vitrit.” [15]
Ndërsa te Ahmedi dhe Ibën Maxhe, i cili shton: “duke qenë ulur.” [16]
Kush nuk e fal dot vitrin brenda kohës së tij
Kush nuk e fal dot vitrin brenda kohës së tij, atëherë le ta falë pas lindjes së diellit, çift dhe jo tek. Transmetohet se Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush fle pa e falur vitrin ose e harron atë, le ta falë kur t’i kujtohet!” [17]
Përgatiti: Unej Sheme
——————————
[1] Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhu: “I Dërguari i Allahut ﷺ e fali vitrin mbi devenë e tij.” Hadith autentik.
[2] Nesaiu (1676) dhe Tirmidhiu (454).
[4] Muteffekun alejhi
[5] Ebu Davudi (1422), Nesaiu (1712), Ibën Maxhe (1190).
[7] Muslimi
[8] Nesaiu (1701).
[9] Ebu Davudi (1425), Ibën Maxhe (1178), “Mishkatul Mesabih” (1273) dhe “Irvaul Galil” (429).
[10] E ka saktësuar shejh Albani në “Sahihu Ebi Davud” (1282) dhe “El Irvau” (43).
[11] “El Mexhmuu”.
[12] “Kijamu Ramadan”, “Sahihu Ebi Daud” (1282) dhe “El-Irva” (430).
[13] “Fetaua nurun ala ed derb”.
[14] Përmbledhja e parë, vëll. 7, “Es Salah 2”
[15] Tirmidhiu (471)
[16] Ibën Maxhe (1195). Shih librin “Sunetet e harruara” pj. 4
[17] Ebu Davudi (1431), “Sahihul Xhami” (6562).