▪️  Fjala El-Hamdulilah është lavdërim për Allahun e madhëruar me kuptim: Lavdi Allahut!

▪️ Allahu lavdërohet me të për çdo gjë, e mirë qoftë ajo apo e keqe dhe është prej nënshtrimit të plotë të njeriut para vullnetit të Zotit të Tij.

▪️ Aishja radijAllahu anha tregon se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e lavdëronte Allahun e Madhëruar për çdo gjendje dhe thotë:
“Profetit -alejhi selam- kur i ndodhte diçka që e gëzonte thoshte:
El-Hamdu lilahi el-ledhij bini’metihi tetimmu es-salihat!
(Lavdi Allahut me mirësinë e të Cilit kryhen punët e mira!)

Dhe kur i ndodhte diçka që nuk e pëlqente thoshte:
El-Hamdu lilahi ala kul-li hal!
(Lavdi Allahut për çdo gjendje!).”.
E transmeton Ibn Maxhe, Hakimi etj dhe e saktëson Shejh Albani.

▪️ El-Menauij në shpjegimin e këtij hadithi thotë:
“Caktimi i Allahut, qoftë gëzim apo hidhërim, është rahmet dhe mirësi. Sikur t’i zbulohej e fshehta do të ishte kënaqur më shumë me hidhërimin sesa me gëzimin, sepse Allahu e di më së miri se çfarë është më e dobishme për robin e Tij.”.
Shih librin e autorit me titull Et-Tejsir sherh El-Xhami Es-Sagir (1/103).

♦️  Shkëputur nga libri “Histori të bukura të rrëfyera nga Profeti Muhamed (alejhi selam) -qëllime dhe dobi-“.

Dr. Abdullah Nabolli