Pyetja:
Më ka ardhur një ofertë që të studioj jashtë vendit (Kosovës), në SHBA, kështu që mundësisht të më përgjigjeni në këto pyetje sa më shpejt të jetë e mundur.
1) Gjatë udhëtimit me aeroplan, a duhet t’i fal namazet në të (aeroplan) apo kur të arrij destinacionin, duke pasur parasysh kohën e gjatë të udhëtimit?
2) A duhet t’i shkurtoj namazet kur të mbërrij në destinacion (si student sa qëndroj aty 1, 2 vite), apo edhe nëse më jepet mundësia e faljes gjatë rrugës (në ndonjë ndalesë)?
3) Nëse kam harruar (inshallah teala kurrë) ndonjë namaz, p.sh. drekën, a bën ta fal kaza në çfarëdo kohe (cilat janë të ndaluara)?
4) A është në rregull t’i fal sunetet nëse falet namazi pas një ore (me arsye)?
5) A duhet të marr tejemum (si merret tejemumi) nëse nuk ka ujë apo nuk ka të pastër, apo edhe nëse shkoj në xhami edhe aty nuk ka ujë apo të shkoj në banesë dhe të falim aty me abdest?
6) Nëse keni ndonjë këshillë për të më dhënë.
***
Përgjigjja:
Ju urojmë për ofertën dhe lusim Allahun e Lartësuar që të jetë kjo në të mirën tënde, të familjes dhe tërë popullit tënd. Amin!
1. Muslimani gjatë udhëtimit ka lehtësime në lidhje me faljen e namazit. Atij i lejohen këto gjëra gjatë udhëtimit:
– Që namazet katër rekatëshe (farzi i drekës, i ikindisë dhe i jacisë) t’i shkurtojë në dy.
– I lejohet që namazin e drekës dhe të ikindisë t`i bashkojë dhe t`i falë prej momentit që hyn koha e drekës deri në fund të kohës së ikindinë, kur ta ketë mundësinë. Gjithashtu i lejohet t`i bashkojë akshamin dhe jacinë në falje prej hyrjes së kohës së akshamit deri në fund të kohës së jacisë. Ndërsa namazi i sabahut nuk bashkohet me ndonjë kohë tjetër, por falet në kohën e përcaktuar.
– Udhëtari është i liruar nga falja e namazeve sunete.
– Nëse njeriu është në udhëtim dhe hyn koha e namazit, nuk i lejohet që ta lërë atë t`i dalë koha, për ta falur kur të arrijë në destinacion, por e fal në kohën e përcaktuar duke pasur parasysh lehtësimet (në numrin e rekateve dhe në kohë), të cilat u përmendën më lart.
– Nëse udhëtari nuk ka mundësi që për të falur namazin të ndalojë mjetin e transportit, për shembull nëse udhëton me autobus publik apo me aeroplan dhe se rrezikohet se do të kalojë koha e namazit nëse e shtyn faljen deri në ndalimin e radhës, atëherë lejohet ta falë namazin brenda mundësive, qoftë edhe nëse nuk ka mundësi të ngrihet në këmbë ose të kthehet nga kibla, etj.
2. Muslimani, nëse është në udhëtim dhe ndalon për një kohë që të ndërrojë aeroplanin apo autobusin ose deri në aeroplanin tjetër i duhet të presë një ditë, dy ditë apo edhe më shumë, ende llogaritet udhëtar dhe i shkurton namazet, përveç nëse falet me xhemat në xhami, atëherë pason imamin dhe i plotëson. Studenti i cili gjendet në një vend të huaj për një kohë të caktuar me qëllim të studimeve nuk konsiderohet udhëtar, pasi ai pas udhëtimit për atë vend dhe pasi ka arritur në destinacionin të cilin e ka synuar, edhe pse nuk llogaritet vendas, ai vendoset aty, merr shtëpi me qira ose vendoset në konvikt dhe kështu ai fillon të jetojë në atë vend dhe nuk është më duke udhëtuar. Prandaj ky person i fal namazet të plota dhe në kohën e përcaktuar.
3. Namazin të cilin nuk e kemi falur nga harresa, e falim në atë moment që na kujtohet pa marrë parasysh çfarë kohe është, pasi Muhamedi, ﷺ, në një hadith thotë: “Kush fle në kohën e namazit apo e harron atë, le ta falë në atë moment që t`i kujtohet dhe nuk ka ndonjë kompensim (shpagim) tjetër vetëm se këtë.” [1] Pra në faljen e namazeve farze kaza nuk shikohen kohët e ndaluara të faljes, sikurse momentet e lindjes së diellit, kur është dielli në zenit apo perëndimi i diellit. Duke pasur parasysh këtë, themi se nëse ndodh që muslimanit i kujtohet se nuk e ka falur një namaz dhe momenti kur iu ka kujtuar është kohë në të cilën ndalohen falja e namazeve, siç është koha e perëndimit të diellit, atëherë duhet ta falë atë në atë kohë. Me fjalë të tjera, koha e ndalesës ka të bëjë me namazet sunet dhe jo për farzet.
4. Namazi të cilin nuk e kemi falur menjëherë si ka hyrë koha, por e falim pak brenda kohës së tij, atëherë falim edhe sunetet së bashku me farzin.
5. Tejemumi merret në rast të mosekzistimit të ujit ose kur kemi ujë, por nuk mund ta përdorim atë nga sëmundja ose për ndonjë arsye tjetër. Gjithashtu duhet ta kemi parasysh se në tejemum nuk kalohet në rast se vetëm nuk kemi ujë, por duhet të japim mund në gjetjen e tij dhe nëse në këtë rast nuk gjejmë, atëherë kalojmë në tejemum. P.sh., nëse në shtëpi nuk kemi ujë (është ndalur uji), por te fqinji ka ujë, atëherë nuk lejohet të marrim tejemum, por në këtë rast duhet të shkojmë dhe të marrim ujin nga fqinji.
6. Ajo me çfarë do t’ju këshillonim në këtë rast do të ishte që ta kujtoni gjithmonë Allahun e Lartësuar dhe t`i mbështeteni Atij kudo që të jeni. Pastaj do t`ju këshillonim që menjëherë si të udhëtoni atje dhe të stabilizoheni, të kërkoni komunitetin musliman të atij qyteti dhe xhaminë ku ata mblidhen e falin namazin. Mundohuni të keni lidhje me muslimanët e atij vend dhe të keni shoqëri sa më shumë nga ata, pasi kjo do t’ju ndihmojë të jeni më afër besimit dhe fesë tuaj.
Në fund, ju urojmë shëndet dhe rehati në vendin ku do të shkoni dhe suksese në mësime! Amin!
Alaudin Abazi
———–
[1] Shënon Buhariu, Muslimi dhe të tjerët.