Pyetja:

Jam në lidhje me një djalë që dy vite po kemi shumë probleme,se ai shkon me vajza të tjera.Unë e dua shumë dhe nuk dua ta humb atë. Shumë e kam duruar dhe jam përballur me probleme të ndryshme.Kam dëshirë ta udhëzoj atë djalin në rrugë të Allahut dhe të mos shkoj pas vajzave të tjera.Me ndihmoni çfarë të bëjë? Nonstop mundohem me fjalë të mira ta zbusë dhe i kam ndihmuar shumë në mjete financiare.Cfarë të bëjë a të largohem se ai nuk është për mua apo të vazhdoj që ta udhëzoj dhe nëse dëshiron Allahu të martohemi më vonë?

***

Përgjigjja:

Motër muslimane! Kjo lidhje që në fillimet e saj ka qenë e paligjshme; krejt në kundërshtim me normat e fesë, moralin dhe karakterin e muslimanes. Nuk mund të djegësh vetveten për të shpëtuar dikë tjetër nga zjarri; nuk mund cenosh integritetin tënd moral dhe ç’është më e keqja të humbësh dinjitetin apo nderin  tënd, me preteksin se do të mbroj moralin e një tjetri. Zakonisht raste të tilla janë mashtrime nga meshkujt dhe mashtrim nga shejtani i mallkuar për femrat e dhëna pas tyre. Në një situatë të tillë ju duhet të keni kurajën, fuqinë morale dhe shpirtërore për ta mposhtur këtë dëshirë të keqe. Nëse mënyra e vetme për t’u shkëputur nga ky djalë është largimi nga puna ose shkolla, ti duhet të largohesh. Kjo vlen për të gjitha femrat që kanë rënë apo rrezikojnë të bien në gracka të tilla. Në rast se pas gjithë kësaj do të vazhdoni një lidhje të tillë, kjo do të quhej paturpësi. Allahu ju ndihmoftë.

Azem Bardhoshi