Namazliu që është lidhur pas imamit, a lejohet që të lexoj Kuran, apo mjafton leximi i imamit?
***
Përgjigjja:
Leximi i Fatihasë pas imamit në namazet me zë (sabah, aksham, jaci) nuk është obligim, ndërsa në namazet pa zë (drekë, iqindi) është vaxhib (patjetër) dhe kjo është mendimi më i saktë. Ai që e lexon Fatihanë pas imamit kur imami e lexon me zë, ai njeri s’ka përfituar gjë prej leximit të imamit dhe as prej leximit të vet dhe si ka mundësi që ai të koncentrohet?!
Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ka bërë në gjoksin e njeriut dy zemra.” (Ahzab: 4)
Dhe thotë: “Dhe kur t’ju lexohet Kurani, dëgjone atë dhe përqëndrohuni në të”. (Araf: 204)
Ky është mendimi i shumicës dërrmuese të brezave të parë dhe atyre më vonë, ky është medh’hebi i Malikut dhe ndjekësve të tij, medh’hebi i Ahmed ibn Hanbelit dhe pjesës dërrmuese të ndjekësve të tij, ky është një nga dy mendimet e Shafi’iut, të cilin e kanë zgjedhur një pjesë e studiuesve të përpiktë nga ndjekësit e tij, ky është mendim edhe i Muhamed ibn El-Hasenit dhe të tjerëve nga ndjekësit e Ebu Hanifes.
Shejhul Islam Ibnu Tejmije, “Mexhmu’l Fetaua” 18/20
Përktheu: Enis Arifi