Pyetja:
Desha t’ju pyes për dhunën në shkollë. Kohët e fundit në shkollat tona po rrihen tepër nxënësit mes tyre. Pyetja ime kishte me qenë, p.sh. nëse një shok i imi është duke u rrahur me dikë dhe janë duke e rrahur, dhe unë ndërhyj për ta shpëtuar atë dhe mua më vrasin. Si është statusi im në ahiret, a shkoj shehid apo diçka tjetër? Dihet se të vdesësh duke mbrojtur familjen shkon shehid dhe në luftë për Allah, por duke e mbrojtur shokun nuk e di.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Tek arabët e vjetër ishte e përhapur një fjalë që konsiderohej e urtë, në të cilën thuhej: “Ndihmoje vëllanë tënd, zullumqar qoftë ai apo që i bëhet zullum”. Kjo “urtësi” nënkupton se në ngatërresa njeriu duhet të mbajë anën e të afërmit të tij pa marrë parasysh a ka të drejtë ai në atë ngatërresë (d.m.th. atij i është bërë padrejtësi dhe duhet të ndihmohet), apo i ka bërë padrejtësi dikujt. Njeriu edhe në këtë rast duhet të anojë nga i afërmi i tij. Sqarimi i fundit i kësaj fjale pa dyshim nuk është i pranuar në Islam, por as edhe logjika e shëndoshë nuk e pranon. Njeriu nuk ndihmohet në padrejtësi dhe nuk anon nga ajo, sado të afërt ta kemi dikë, pasi kjo na bën pjesëmarrës në atë zullum. Fatkeqësisht, në traditën dhe kulturën tonë ky parim është i njohur dhe me të veprojnë zakone dhe tradita të cilat nuk kanë të bëjnë me Islamin dhe janë të përhapura te ne, madje thyerja e këtij parimi konsiderohet tradhti ndaj familjes, fisit (kabiles) dhe miqësisë së ndërsjellë.
Me ardhjen e Muhamedit, ﷺ, ndryshuan shumë besëtytni dhe tradita të gabuara të përhapura te njerëzit në përgjithësi. Ndonëse kësaj fjale të urtë Muhamedi ﷺ nuk ia ndryshoi tekstin, ai ia ndryshoi domethënien dhe kështu u kthye nga një fjalë e urtë që nuk ishte e drejtë, në një fjalë të urtë të drejtë, madje edhe u bë porosi profetike pasi Muhamedi, ﷺ, e tha atë si hadith.
Imam Buhariu në koleksionin e tij shënon nga Enes Ibën Maliku, se i Dërguari, ﷺ ka thënë: “Ndihmoje vëllanë tënd qoftë ai zullumqar ose i është bërë zullum.” Njëri nga të pranishmit pyeti: “O i Dërguar i Allahut, ta ndihmoj kur i bëhet padrejtësi, por nëse ai është zullumqari, si ta ndihmoj në këtë rast? Muhamedi ﷺ thotë: “Ta ndalosh nga zullumi dhe kjo është ndihma e tij.” [1]
Prandaj dhuna nëpër shkolla dhe ndihma e ndërsjellë në mes shokëve duhet të jetë në këtë parim. Nëse shokut tënd i është bërë zullum dhe sulmohet pa të drejtë, atëherë ti duhet të ndërhysh dhe të ndalosh këtë sulm dhe të ndalosh tjetrin që ta lëndojë atë që i është bërë padrejtësi.
Por në këtë ndërhyrje duhet të kesh parasysh shumë rrethana, tregues dhe mundësitë e tua, se çfarë mund të shkaktosh me këtë reagim. Vërtetohet se Muhamedi ﷺ gjatë thirrjes në Mekë shihte sahabë që torturoheshin, por ai bënte lutje për ta dhe nuk reagonte fizikisht, pasi kjo do të nxiste dhunë edhe më shumë ndaj muslimanëve dhe dëmi do të ishte më i madh se dobia. Ndërsa kur kaloi në Medinë dhe u fuqizua, atëherë reagonte për çdo padrejtësi qoftë edhe fizikisht.
Prandaj nuk është e mjaftueshme që ti të reagosh vetëm kur të jesh i sigurt se sulmi ishte pa të drejtë, por të shikosh se si do ta largosh dëmin që është prezent duke mos sjellë dëm edhe më të madh, siç e përmend ti, humbjen e jetës së ndonjërit, qoftë edhe të zullumqarit. Kjo për faktin se ngatërresat që shkaktohen nëpër shkolla janë rezultat i mospajtimeve që ndodhin mes shokëve për gjëra të ulëta, bile edhe të ndaluara. Nuk do të hyj më shumë në analizimin e këtyre shkaqeve dhe të dhunës së pranishme në shkolla pasi nuk është vendi këtu.
Në anën tjetër, nëse shoku yt është zullumqari, atëherë ti duhesh ta ndihmosh dhe ta largosh nga këto punë të këqija dhe ta udhëzosh në punë të dobishme. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
——————————–
[1] Shënon Buhariu, Ahmedi, Tirmidhiu.