Pyetja:

Duke pasur parasysh që Muhamedi ﷺ qe më i miri ndër pejgamberët, pse ai nuk qe ngritur në qiell në vend të Isës? Dhe pse Allahu e veçoi Isën për ngritje në qiej e jo ndonjë tjetër nga pejgamberët?

***

Përgjigjja:

Allahu ka përfshirë krejt gjërat me mëshirën e me dijen e Tij, si edhe me fuqinë e pushtetin e Tij. Lavdi i qoftë Atij, Ai posedon urtësi madhështore, vullneti i Tij gjithmonë zbatohet dhe fuqia e Tij përfshin gjithçka. Ai e zgjodhi këdo që deshi nga njerëzimi për pejgamberë e të Dërguar, përgëzues e paralajmërues.

Ai i ngriti disa prej tyre në pozitë mbi të tjerët dhe i veçoi krejt ata me çfarëdo cilësie që Ai deshi me mëshirën e Tij. Ai e veçoi për miqësi të afërt (khalil) Ibrahimin dhe Muhamedin ﷺ dhe e zgjodhi secilin pejgamber me çfarëdo që deshi nga shenjat dhe mrekullitë që ishin të përshtatshme për kohën e tij, nëpërmjet të cilave do të vendosej dëshmia kundër popullit të tij, nga urtësia dhe drejtësia që Ai ka. Askush s’mund ta kthejë mbrapsht urdhrin e Tij dhe Ai është i Plotfuqishmi, i Urti, që kupton misteret më të imëta dhe i njeh mirë ato.

Çdo mirësi nuk nënkupton superioritet. Fakti që Isa u veçua me ngritje në qiell ndërsa
ishte i gjallë, ndodhi sipas vullnetit dhe urtësisë së Allahut. Kjo s’ka ndodhur ngaqë ai
kishte epërsi ndaj të Dërguarve tjerë, si Ibrahimi, Muhamedi ﷺ, Musa e Nuhu (paqja dhe
bekimet qofshin mbi të gjithë këta), sepse atyre u qenë dhënë cilësi dhe shenja që
nënkuptojnë epërsi ndaj tij (Isës).

Me fjalë tjera, kjo çështje ka të bëjë me Allahun, i cili vendos si të dojë. Ai nuk pyetet për
atë që bën, sepse dija dhe urtësia e Tij janë të përsosura. Për më shumë, të pyesësh për
këtë, nuk ndikon në asnjë punë dhe nuk pohon ndonjë besim. Ai që pyet rreth kësaj,
mund të ngatërrohet dhe të mbushet me dyshim.

Besimtarit i kërkohet t’i pranojë gjërat që janë çështje të Allahut dhe të mundohet në çështjet që u përkasin njerëzve, siç janë besimi dhe veprimi. Kjo është rruga e pejgamberëve dhe e të Dërguarve, rruga e halifeve të udhëzuar drejt si dhe e gjeneratave të hershme të këtij umeti.

Allahu e di më së miri. Allahu është burim i fuqisë. Allahu dërgoftë paqe e bekime mbi pejgamberin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

Komisioni i përhershëm i Fetvave, “Fetua El-Lexhneh El-Da’imeh”

————————————————————-

Anëtarët e komisionit:
Shejh AbdulAziz bin Baz
Shejh AbdulRezak Afifij
Shejh Abdullah in Gudejaan
Shejh Abdullah in Ke’ud