Pyetja:
Pse Allahu i Lartësuar kur flet për veten e Tij në Kuran nganjëherë e përdorë njëjësin, nganjëherë shumësin? P.sh.: “Ne e zbritëm Kuranin”; “Ne krijuam qiejt” etj.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Kurani ka zbritur në gjuhën e pastër arabe, Allahu i Lartësuar thotë: “Me gjuhë të kulluar arabe.” (Shuara: 195)
Dhe ajo çfarë përmban Kurani nga shprehjet të gjitha janë forma që janë të përdorshme në këtë gjuhë. Prandaj edhe përdorimi i shumësit në formën që juve bëni pyetje është e njohur dhe e pranuar. Kjo është e njohur në gjuhën arabe, kur dikush do ta madhështojë vetveten dhe të tregojë madhështinë për vetveten e tij, e përdorë shumësin. Allahu e ka zbritur Kuranin në gjuhën arabe dhe ka folur në këtë mënyrë (në shumës: Ne) për të treguar Madhështinë e Vet, se Ai është Madhështor. E në disa raste kur përmendet “Ne” në Kuran, Allahu ka për qëllim Veten dhe engjëjt (të cilët i ka urdhëruar me detyra). Ky stil në gjuhën arabe përdoret në shenjë madhërimi, respekti dhe nderi. Dhe kjo nuk është veçanti e gjuhës arabe, por edhe në gjuhë tjera është e njohur kjo formë e të shprehurit. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi