Pyetja:

Çfarë qasje duhet të ketë muslimani karshi mëkateve?

***


Përgjigjja:

Mëkatet e lëndojnë zemrën, e errësojnë shpirtin, e dobësojnë trupin, dërgojnë në humbje, udhëzojnë në zjarr. Nëse të gëzon momentalisht të dëmton më vonë, prandaj po që se mëkatari do t’i dinte dëmet e mëkateve, do të largohej prej tyre, do të përmirësohej dhe do të përqendrohej në vepra të mira, mirëpo syri i mëkatit është i verbër.

Disa nga mëkatet e mëdha

T’i bësh shirk (t’i bësh shok) Allahut, të bësh zina (kurvëri), të vjedhësh, të marrësh mallin e tjetërkujt me dhunë, domethënë të rrëmbesh, të grabitësh, të dëshmosh gënjeshtra, të marrësh e të japësh kamatë, t’i kundërvihesh nënës e babait, t’i kundërshtosh ata, të braktisësh vizitat te farefisi e të afërmit, të mos e përdorësh drejt peshoren, të marrësh ryshfet (të korruptohesh), ta djegësh kafshën të gjallë në zjarr, të harrosh leximin e Kuranit pasi ta kesh mësuar, ta humbësh shpresën nga mëshira e Allahut, t’i tradhtosh njerëzit, qofshin myslimanë a qafirë, të hash mishin e derrit, të bartësh fjalë në mes muslimanëve, të tradhtosh atë që të është besuar, të përgojosh muslimanin, të gënjesh, të jesh shumë dorështrënguar e koprrac, të mos frikësohesh nga dënimi i Zotit, t’i besosh fallit të fallxhinjve, të besosh se tregojnë të panjohurën, të largohesh nga feja jote, të bëhesh tradhtar, t’i shmangesh diturisë, të insistosh që të bësh vazhdimisht gjynahe të vogla, t’i afrohesh gruas kur është me menstruacione dhe lehonë, të bësh vetëvrasje… etj., etj.

Vallë çka i shkatërroi popujt e mëparshëm dhe i rrënoi civilizimet e tyre madhështore? A nuk ishin mëkatet?

Për shkak të mëkateve

U larguan prindërit tanë nga xheneti, nga shtëpia e kënaqësisë, lumturisë e gëzimit në shtëpinë e dhimbjeve, mërzive dhe fatkeqësive.
U largua Iblisi nga mbretëria e qiellit, u përzu dhe u mallkua dhe u bë udhëheqës i secilit njeri të keq, mohues e të prishur?
U fundosën tërë njerëzit në kohën e Nuhut alejhi selam, gjersa uji u lartësua mbi kodra.
U lëshua era kundër popullit të Adit, saqë u shtrinë për tokë të vdekur dhe iu shkatërrua çdo gjë, shtëpi, tokë e kafshë.
U fundos Faraoni dhe populli i tij në det e shpirtrat e tyre shkuan në xhehenem, kështu që trupat u fundosën në det, kurse shpirtrat në zjarr.
A nuk është shkak i gjithë kësaj mëkati? A nuk është shkak i kësaj dhënia pas epsheve, hulumtimi i kënaqësisë së ndaluar?

Masat mbrojtëse kundër mëkateve

Para se të bësh mëkat, kujtohu se Allahu të sheh dhe e di të fshehtën dhe atë që e publikon.
A nuk e di ti (o dëgjues) se Allahu di çka ka në qiej dhe çka në tokë?! Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave e të mos jetë Ai i katërti; e as mes pesë vetave e të mos jetë Ai i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë. Pastaj, në Ditën e Kiametit i njofton ata me atë që kanë punuar. Allahu ka përshirë çdo send në dijen e vet.” (Muxhadele, 7)
Një njeri kërkoi prej një beduineje që të kenë marrëdhënie të paligjshme duke i thënë: “Asgjë s’na sheh, përveç yjeve.” I tha kjo grua: “Po ku ka shkuar Ai që i ka krijuar këto yje?”

Një njeri hyri në një mal përplot me drunj dhe në vetvete tha: “Nëse këtu bëj mëkat, askush nuk më sheh.” Atëherë dëgjoi një zë, i cili thoshte: “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë.” (Mulk, 14)

Para se të bësh mëkat, kujtohu se melekët t’i regjistrojnë të gjitha veprat dhe fjalët, i regjistrojnë në fletoren tënde, nuk lënë pa regjistruar asgjë. Allahu Fuqiplotë  thotë: “Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.” (Kaf, 18)

Para se të bësh mëkat, kujto:
Ditën kur çdo njeri e gjen pran vete atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshiroj që në mes tij dhe në mes asaj të jetë një distancë shumë më e madhe (e mos ta shohë). Allahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithëqë Allahu është i mëshirshëm ndaj robërve.” (AliImran, 30)

Para se të bësh mëkat, kujto fjalët e kriminelëve:
Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dh thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?” dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme – prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejt askujt.” (Kehf, 49)

Para se të bësh mëkat, kujto momentin e vdekjes dhe të daljes së shpirtit, pendimin për veprat e tua, mirëpo atë ditë aspak nuk bën dobi pendimi e arsyetimi.
Nëse bëjnë durim, zjarri është vend i tyre, e nëse kërkojnë të kthehen në atë që e dëshirojnë (në kënaqësinë e Zotit), atë nuk do të arrijnë.” (Fussilet, 24)

Para se të bësh mëkat, kujto varrin dhe dënimin e tij, ngushtësinë dhe errësirën e tij, krimbat dhe insektet e ndryshme të tij. Kujto varrin, i cili do të jetë ose një kopsht i xhenetit ose një gropë e xhehenemit. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Po mos ta linit varrimin, do t’i lutesha Allahut që t’ju mundësojë të dëgjoni dënimin e varrit.”

Para se të bësh mëkat, kujto dëshminë e gjymtyrëve të mëkatarëve kundër tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “E ditën kur armiqtë e Allahut tubohen për në zjarr dhe ata janë të rrethuar. E derisa afrohen atij, kundër tyre dëshmojnë: të dëgjuarit e tyre, të parit e tyre dhe lëkurat e tyre për çdo gjë që ata kanë punuar. Ata lëkurave të tyre u thonë: “Përse dëshmuat kundër nesh?” Ato thonë: “Allahu që çdo sendi ia ka dhënë të folur na dha edhe neve, e Ai është që u krijoi juve herën e parë dhe vetëm te Ai do të ktheheni.” (Fussilet, 1921)

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit do të sjellin njeriun që ka jetuar më së miri në dynja, i cili e ka merituar xhehenemin. Do ta fusin në xhehenem një herë, pastaj do t’i thonë: “Biri i Ademit, a ke parë ndonjëherë të mira, a ke përjetuar ndonjë të mirë?” Do të përgjigjet: “Pasha Allahun, jo, Zoti im.” Pastaj do të sjellin njeriun që ka jetuar më së keqi, mirëpo e ka merituar xhenetin. Do ta fusin një herë në xhenet dhe do t’i thonë: “Biri i Ademit, a ke parë ndonjëherë të këqija, ke përjetuar ndonjë të keqe?” Ai do të përgjigjet: “Pasha Allahun, o Zot, asnjëherë nuk kam parë të këqija.”

Para se të bësh mëkat, kujto se mëkatet janë errësirë njëra mbi tjetrën, kurse zemra sëmuret dhe dobësohet nga shkaku i mëkateve dhe gabimeve, ndodh që edhe vdes tërësisht. E, kur vdes zemra, shkatërrimi është i domosdoshëm, kurse humbja e patjetërsueshme.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sprovat i paraqiten zemrës sikur cerga, e cila është e bërë nga fijet e kashtës. Ajo zemër e cila i thith sprovat, në të bëhet një pikë e zezë. E, nëse i mohon, në këtë zemër bëhet një pikë e bardhë, derisa zemrat të bëhen dy llojesh: e bardhë sikurse sikur qielli i kulluar, këtë zemër nuk e dëmtojnë sprovat gjersa ekzistojnë qiejt dhe toka. Zemra e dytë është zemra e zezë dhe e përmbysur, nuk e njeh të mirën as të keqen, përveç asaj që e ka thithur prej epsheve.”

Në fund, para se të bësh mëkat, kujto se mëkatet shkaktojnë mossuksesin, mosarritjen e diturisë, privimin e riskut, ngushtësinë e gjoksit, vështirësinë e gjërave, dobësinë e trupit, pakësimin e jetës, vdekjen e befasishme, çoroditjen e mendjes, ikjen e turpit, xhelozisë, sjelljes dhe moralit nga zemra. Mëkatet largojnë dhuntitë, sjellin dënimet, asgjësojnë bereqetin e jetës, të riskut, të diturisë, të veprave, të ibadeteve, e eksponojnë robin para lloj-lloj dënimesh në dynja dhe ahiret, e nxjerrin robin nga qarku i ihsanit dhe pengojnë arritjen e shpërblimit të bamirësve.

Prej dënimeve më të mëdha është se shkaktojnë largim mes robit dhe Zotit. E, nëse ndodh ky largim, atëherë largohen shkaqet e çdo të mire dhe vijnë shkaqet e çdo të keqe.

Dëmet e mëkateve

Mëkatet lënë gjurmë të këqija dhe të urryera edhe në zemër edhe në trup, edhe në dynja edhe në ahiret, të cilat vetëm Allahu i di. Prej tyre janë edhe këto:

  • Privojnë nga dituria, sepse dituria është dritë të cilën Allahu e fut në zemër, kurse mëkati e fik këtë dritë.
    · Privojnë nga risku, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Robi privohet nga risku me mëkatin që bën.”
    · Sjellin vetminë që ndien mëkatari në zemrën e tij, me të cilën nuk ndien asnjë kënaqësi.
    · Errësira i kaplon zemrën. E ndien realisht ashtu siç e ndien errësirën e natës.
    · Privohet nga adhurimi.
    · Mëkatet shkurtojnë jetën dhe largojnë bereqetin.
    · Mëkatet lindin të njëjtat gjëra. Disa dijetarë të selefit kanë thënë: “Dënimi i një mëkati është mëkati që vijon, kurse shpërblimi i një të mire është e mira tjetër që pason.”
    · Vazhdon njeriu të bëjë mëkate derisa i duken të vogla dhe pa vlerë. Kjo është shenjë e shkatërrimit.
    · Mëkati shkakton mposhtje, sepse e tërë krenaria është në respektin ndaj Allahut.
    · Mëkatet prishin edhe mendjen, sepse logjika është dritë, kurse mëkatet e fikin atë dritë.
    · Nëse i mblidhen njeriut mëkatet, i vuloset zemra e bëhet nga të pakujdesshmit. Këtë e kanë thënë disa dijetarë të selefit duke pasur për bazë ajetin Kuranor: “Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan.” (Mutaffifin, 14)
    · Dobësohet vullneti i zemrës, atëherë forcohet vullneti i mëkatit dhe njëkohësisht vonohet dëshira për pendim, derisa të largohet tërësisht nga zemra e këtij njeriu.
    · Mëkatet e fusin njeriun nën mallkimin e Pejgamberit ﷺ, sepse ai (ﷺ) i ka mallkuar shumë mëkate, kurse ai që i bën ato mëkate e meriton atë mallkim. “I gjithë umeti im është i falur, përveç atyre që i publikojnë mëkatet…”

Stimulim për pendim

“Padyshim që Allahu nuk fal që Atij t’i vihen shokë në adhurim, por Ai fal përveç kësaj (çdo gjë tjetër) kujtdo që Ai dëshiron
.” (Nisa, 48)

Thuaj: O robërit e Mi që keni tejkaluar caqet kundër vetvetes (duke kryer ligësi e gjynahe)! Mos i humbni shpresat nga Mëshira e Allahut, vërtet që Allahu i fal të gjitha gjynahet. Vërtet që Ai është gjithnjë Falësi i madh, Mëshirëploti.”
Zumer, 53)

“O biri Ademit! Sikur të më vije Mua me gjynahe sa e gjithë toka, pastaj të më takosh Mua dhe të mos më kesh shoqëruar shok, atëherë do të vij tek ti me po aq falje.”

“Nuk ka për të hyrë në zjarr ai që thotë La ilahe il-la Allah.”

Pendimi i domosdoshëm për mëkate të mëdha

I nderuar lexues/e, duhet të nxitosh të pendohesh prej gjynaheve të vogla e të mëdha. Shiko se ç’thotë Allahu Mëshirëplotë: “Në qoftë se ju i mënjanoni gjynahet e mëdha që jeni ndaluar t’i kryeni, Ne do t’ju shkarkojmë nga gjynahet e lehta (e vogla) dhe do t’ju pranojmë në një hyrje madhështore (në xhenet).” (En Nisa, 31)

“…Përveç atyre që pendohen, besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Atyre Allahu do t’ua shndërrojë të këqijat e tyre në të mira dhe Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.” (El Furkan, 70)

Pejgamberi ﷺ“Frikësoju Allahut kudo që të jesh! Pasoje veprën e keqe me një të mirë, që ta fshijë atë!”

Në fund një hadith kudsij

Një njeri bëri një gjynah, pastaj tha: “O Zoti im! Ma fal gjynahun tim!” Allahu i Lartësuar thotë: “Robi Im bëri gjynah, por e mësoi se ai ka një Zot që i fal gjynahet dhe që dënon për shkak të tyre.” Pastaj kthehet dhe bën përsëri gjynah, pastaj thotë: “O Zoti im! Ma fal gjynahun tim!” Allahu i Lartësuar thotë: “Robi im bëri gjynah, por e mësoi se ai ka një Zot që i fal gjynahet dhe që dënon për shkak të tyre.” Pastaj kthehet dhe bën përsëri gjynah, pastaj thotë: “O Zoti im! Ma fal gjynahun tim!” Allahu i Lartësuar thotë: “Robi im bëri gjynah, por e mësoi se ai ka një Zot që i fal gjynahet dhe që dënon për shkak të tyre. Puno ç’të duash, sepse Unë ta kam falur ty!”

Imam Neveviu thotë: “Sikur gjynahu të përsëritej njëqind herë, një mijë herë apo më shumë dhe pas çdo gjynahu ai pendohet, pendimi i tij pranohet dhe gjynahet e tij fshihen. Edhe nëse ai pendohet një herë për të gjitha së bashku, pendimi i tij është i saktë.” Kuptimi i fjalës së Allahut për atë që e përsëriti gjynahun, në hadithin e mësipërm: “Puno ç’të duash, sepse Unë ta kam falur ty!” është: Meqë ti pas çdo gjynahu pendohesh, Unë ta kam falur ty!

O Allahu ynë, na mëshiro me Mëshirën Tënde, Ti je Falës i madh!

Eroll Rexhepi