Realiteti i xhinëve

  1. I nderuar hoxhë! A ekzistojnë xhinët dhe na i përshkruani si janë ata?

 

Përgjigjja: Xhinët janë krijesa të Allahut xh.sh., të cilat i ka krijuar prej zjarrit para krijimit të Ademit (alejhi selam). Allahu xh.sh. thotë:

“Ne krijuam njeriun nga balta e argjilës, së zezë e të prishur (me erë të keqe), (të formuar-të trajtuar, ‘mesnun’). E xhinët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë.” (Hixhr: 26-27)

Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Melekët janë krijuar nga drita, ndërsa xhinët janë krijuar nga zjarri i fortë i përzier me flakën e zezë, ndërsa Ademi është krijuar nga ajo që u është përshkruar juve.”[1] (E ka fjalën ashtu siç e ka cekur Allahu në Kur’an, se është krijuar nga balta.)

Sikurse Ademi (alejhi selam) ka pasardhës, gjithashtu edhe xhinët kanë pasardhës. Allahu xh.sh. e përshkruan Iblisin:

[1] Muslimi, nr. (2996) 60.

 

“(Përkujto) Kur u thamë engjëjve: Përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj? Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve!” (Kehf: 50)

Bota e xhinëve për ne është e padukshme, mirëpo besimi në ekzistencën e tyre është prej gjërave të domosdoshme në Islam. Mohimi i ekzistencës së tyre konsiderohet kufër (mosbesim), ngase Kur’ani Famëlartë e ka vërtetuar ekzistencën e tyre, madje një sure e posaçme në Kur’an mban emrin e tyre, sure XHINN.

Allahu xh.sh. i ka krijuar xhinët dhe njerëzit vetëm për ta adhuruar Atë: kush i nënshtrohet Atij, do të shpërblehet me xhenet, e kush e kundërshton Atë, do të ndëshkohet me xhehenem. Allahu xh.sh. thotë:

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat: 56)

Xhinët sikurse edhe njerëzit janë të ngarkuar me përgjegjësi fetare, prandaj ka prej tyre besimtarë dhe jobesimtarë, siç i përshkruan Allahu xh.sh. fjalët e tyre në Kur’an:

“Është e vërtetë se prej nesh ka besimtarë (muslimanë) dhe prej nesh ka që janë jashtë rrugës (jobesimtarë), e kush e pranoi Islamin, të tillët mësynë rrugën e shpëtimit.” (Xhinn: 14)

Kur Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ishte në Mekë, ende pa u shpërngulur, një grup xhinësh dëgjuan Kur’an dhe u ndikuan prej tij. Allahu xh.sh. thotë:

“Thuaj: Mua më është shpallur se një grup i vogël nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur’anin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: Ne kemi dëgjuar një Kur’an që mahnit që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askënd.” (Xhinn: 1-2)

Duke qenë se në mesin e xhinëve ka besimtarë dhe jobesimtarë, atëherë vlen të thuhet se xhinët jobesimtarë quhen shejtanë, kurse ata besimtarë quhen xhinë. Pra, termi xhin përfshin xhinët besimtarë dhe jobesimtarë, apo thënë ndryshe xhinët muslimanë dhe xhinët qafirë, ndërsa termi shejtanë përfshin vetëm xhinët jobesimtarë.

Ata njerëz që e kundërshtojnë Allahun konsiderohen ithtarë të shejtanit dhe do të tubohen bashkë me të në zjarrin e xhehenemit, sikurse i ka thënë Allahu xh.sh. Iblisit:

“Sikur të kishim dëshiruar Ne, secilit do t’i jepnim udhëzimin, por fjala Ime (vendimi) ka marrë fund (definitiv), se do ta mbush xhehenemin së bashku me exhinë e njerëz.” (Sexhde: 13)

Xhinët jetojnë me ne në tokë, jetojnë nëpër shtëpi të zbrazëta, ndoshta edhe nëpër shtëpi të banuara me njerëz, nëpër banjë, në vendet ku hidhen mbeturinat, nëpër plasaritje të tokës, nëpër kodra e gjetiu. Allahu xh.sh. prej mëshirës së Tij ka bërë që ata të na shohin ne, kurse ne nuk kemi mundësi t’i shohim ata, sikurse thotë Allahu xh.sh. për Iblisin dhe pasardhësit e tij:

“Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk i shihni. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.” (A’raf: 27)

Nëse ke ndonjë armik që të përcjell dhe të vëzhgon kurse ti nuk e sheh atë, atëherë rreziku prej tij është shumë më i madh, andaj në çdo moment duhet të ruhemi dhe të jemi të vëmendshëm për rrezikun që na kanoset prej intrigave të shejtanëve në mesin e njerëzve dhe xhinëve.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi