Pyetja:

Sa urtësi fshihen pas agjërimit?

***

Përgjigjja:

Këtë udhëtim të bukur do ta vazhdojmë me disa urtësi të një adhurimi madhështor, agjërimit, e të cilat, bazuar në hulumtime dhe studime, tash së voni i kanë zbuluar shkencëtarët.

Kur i sëmuri t’i ketë “çuar duart” nga mjekët dhe shpresa për shërim të ketë humbur ose është shumë e paktë, atëherë hapi më i qëlluar që merret është kthimi tek ilaçi që nuk kushton asgjë – agjërimi. Hulumtuesit në sekretet e shërimit kanë gjetur dobi të reja të agjërimit, e që në fakt janë të panumërta. Ata në fokus kanë patur spitalet e avancuara në të cilat mjekimi bëhet sipas sistemit shërues që mbështetet në agjërimin si bazë për shërim efektiv.

Në vijim keni një përmbledhje të rezultateve tek të cilat arritën tash së voni mjekët dhe ekspertët:

1. Hulumtimet në teren e që target apo fokus grup patën një numër të madh të sëmurësh kanë vërtetuar se agjërimi shëron kancerin dhe se ndikon, në njërën anë në bllokimin e qelizave kancerogjene dhe në anën tjetër frenon shkaqet që shkaktojnë çrregullime në sistemin e punës së qelizave. Së këndejmi, mjekët porosisin për domosdoshmërinë e agjërimit si ilaç ruajtës, i cili pengon shndërrimin e qelizave të shëndosha në qeliza të infektuara me kancer.

Subhanallah! Është vërejtur dallim i madh në përqindjen e të goditurve me kancer ndërmjet atyre që agjërojnë, sidomos atyre që agjërojnë sipas mësimeve islame, dhe atyre që nuk agjërojnë!

2. Me avancimin dhe përparimin teknologjik dhe ndotjen që bartë me vete ky zhvillim, qoftë kjo ndotje me helme, apo ndotje energjike, ndotje zhurmuese për shkak të zhurmës dhe ndriçimit të tepërt gjatë natës, ekspertët kanë zbuluar një sekret të ri tek agjërimi disa ditor, i cili largon këto helme nga trupi pa efekte anësore. Kirurgët janë të paaftë për të larguar të gjitha helmet nga qelizat e trupit ngase trup përmban hiç më pak se disa miliardë qeliza, kështu që në këto raste agjërimi paraqitet për të pastruar këto qeliza pa ndonjë dëm. Kjo s’ka si të mos jetë sekret prej sekreteve të agjërimit.

3. Kush nuk vuan prej nesh nga brengat e shumta të kësaj kohe për shkak të problemeve materiale, psikike, shoqërore dhe të tjera si pasojë e shekullarizmit?! Ekonomia amerikane vetëm për problemet psikike paguan një kosto vjetore prej miliarda dollarësh edhe pse nuk sheh ndonjë rezultat konkret nga këto shpenzime. Ekspertët e fushave të ndryshme kanë vërtetuar se agjërimi ka ndikim marramendës në qetësimin dhe stabilizimin shpirtëror të njeriut si dhe në zgjidhjen e një mori të madhe problemesh shoqërore dhe familjare të tij.

4. Si sëmundje e kësaj kohe merret mbipesha e cila shkakton sëmundje tjera të rrezikshme si ato të zemrës, tensionit të gjakut, diabetit, kolesterolit, kurrizit, etj. realisht prej këtyre apo prej disa prej tyre vuan gjysma e shoqërisë. Me gjithë përparimin e mjeteve mjekuese, mjekët vazhdojnë me ngulm të vërtetojnë se agjërimi është shërimi i vetëm efektiv për të gjitha këto sëmundje. I Madhëruar qofsh o Allah!

5. Agjërimi është shërues nga shumë doke dhe zakone të këqija që shpërbëjnë shoqërinë, si konsumimi i duhanit, lëndëve narkotike, alkoolit, shikimit në gjëra të ndaluara. Nuk ka vend për tu çuditur për rëndësinë e agjërimit kur shohim se ata që preferojnë agjërimin si mënyrën më përfikte për shërim janë pikërisht mjekët jomyslimanë.

6. Rinia e sodit ankohen shume për pamundësi martese për shkak të ndërlikimit të procedurave të martesës dhe mos zbatimit të lehtësimeve islame përkatëse, kështu që në mungesë të një martese të ligjshme, ata nën presionin e epshit, bijnë në mëkat (amoralitet). Për të mbajtur të riun nën kontrollë, mjekët porosisin që të konsumohet sa më pak ushqim dhe ujë, e mundësisht të agjërohet, ngase uria ia largon të riut mendimin nga harami apo e ndaluara dhe pakëson sekretimin e hormoneve përgjegjëse për këtë, kështu që agjëruesi ndien një rehati shpirtërore që nuk mund të përshkruhet.
7. Një studim i ri ka vërtetuar se agjërimi zgjat jetën e qelizave dhe ngrit sistemin imunitar të njeriut, e si rezultat agjëruesit në krahasim me të tjerët jetojnë më gjatë. Këto janë disa sekrete të agjërimit që ftojnë besimtarin të shijojë ëmbëlsinë e këtij adhurimi sidomos tash në Ramazan. Ngritja e fuqisë efektive tek agjëruesit si pasojë e abstenimit nga ushqimi dhe pija, dhe shtimi i fuqisë së qelizave imunitare për të kryer punën e tyre dhe për të freskuar dhe aktivizuar sistemin imunitar nënkupton një gjë të rëndësishme, dhe e cila është: fuqia e trupit të agjëruesit për të shëruar të gjitha sëmundjet pa përjashtim. O Zot, pa të meta je!

Përfundimisht, sado që të hulumtojmë për urtësi të agjërimit, fundin nuk do e arrijmë kurrë. Dobitë e agjërimit nuk mund të numërohen por retorika hyjnore eshte ajo që të gjitha këto urtësi na i përmbledh me pak fjalë:

“… Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (Bekare: 184)

E lusim Allahun që të na ndihmojë për agjërim dhe namaz jo vetëm në këtë muaj të madhërishëm të ramazanit por gjatë gjithë vitit, sikur që shpresojmë tek lexuesit tanë se këtë hulumtim që e kanë si dhuratë do ta shpërndajnë tek miqtë e tyre. Ndoshta Allahu na bën dobi me të gjithë neve!!!

Abdu-d-Daim el-Kehil
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI