Pyetja:
Jam betuar për diçka, por më pas kam kuptuar se të veproj ndryshe është më e udhës për mua. Si të veprojë tani?
***
Përgjigjja:
Allahu i Lartësuar robërve të Tij ua ka bërë të ligjshëm shpagimin për betim, me të cilin dalin nga detyrimi që ia kanë bërë vetes me atë betim. Kjo është mëshirë e Allahut ndaj robërve të Tij. Ai thotë:
“Allahu ka caktuar shpagim që të liroheni nga betimet tuaja.” (Tahrim: 2)
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush betohet për diçka, pastaj e sheh se është më mirë të bëjë diçka tjetër, atëherë le ta bëjë atë që mendon se është më mirë dhe le të shpaguhet për betimin që e ka bërë!” [1]
Shpagimi është obligim për njeriun që e shkel betimin dhe nuk e zbaton atë për të cilën është obliguar me të.
Shpagimi i betimit bëhet me disa punë, prej të cilave disa janë opsione dhe mund të zgjedhë kë të dojë, kurse ka edhe renditje, që do të thotë se kur nuk mund ta bëjë të parën kalon në të dytën. Opsionet, mes të cilave ka të drejtë të zgjedhë, janë:
- Të ushqejë dhjetë të varfër, duke i dhënë secilit nga gjysmë tasi me ushqim;
- Të veshë dhjetë të varfër, duke i dhënë secilit nga një rrobë me të cilën ka të drejtë të falet;
- Apo të lirojë një skllav musliman që nuk ka të meta.
Nëse nuk ka mundësi ta kryejë asnjërë prej këtyre, atëherë duhet të agjërojë tri ditë. Allahu thotë:
“Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim. Shpagimi për mëkatin e shkeljes së betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj, ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë.” (El Maide, 89)
Pra, për shpagimin e shkeljes së betimit njeriu ka disa opsione, të cilat janë: ushqyerje, veshje ose lirim i skllavit dhe ka të drejtë ta zgjedh cilën të dojë. Por nëse nuk e bën dot asnjërën, atëherë kalon në shkallën tjetër, që është agjërim i tri ditëve.
Allahu e di më së miri.
Marr nga libri “Legjislatura islame”, grup dijetarësh, kapitulli ‘Betimet’, fq. 498
———————–
[1] Buhariu nr. 6722 dhe Muslimi nr. 1650. Teksti i Muslimit