Pyetja:
Kur dhe si është namazi [1] dhe agjërimi i udhëtarit?
***
Përgjigjja:
Namazi i udhëtarit është nga dy rekate prej momentit kur del prej vendit të vet e deri sa të kthehet. Ajsheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Fillimisht kur u obligua namazi, ishte nga dy rekate. Mbeti ashtu për namazin e udhëtarit, ndërsa u plotësua për namazin e vendasin” në një trasmetim tjetër: “u shtua për namazin e vendaliut” [2]
Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Dolëm me Resulullahun, ﷺ, prej Medines për në Mekë dhe u falte dy nga dy derisa u kthyem në Medinë”. [3]
Por nëse falet me imam, atëherë i falë katër rekate, pa marrë parasysh a e ka arritur namazin në fillim apo i ka ikur ndonjë rekat. Për këtë bazohemi në hadithin e përgjithshëm: “Kur ta dëgjoni ikametin, shkoni për në namaz të qetë dhe të përulur, mos shpejtoni, atë që arrini faleni e atë që ju kalon plotësojeni”.[4]
Përgjithësimi i fjalës: “atë që arrini faleni e atë që ju kalon plotësojeni” i përfshin edhe udhëtarët të cilët falen pas imamit i cili i falë katër rekate dhe të tjerët.E pyetën Ibën Abbasin (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Pse udhëtari i falë dy rekate kur falet vetë dhe pse katër kur falet me imam” tha: “Ashtu është sunneti”.
Namazi me xhemat si detyrim nuk bie nga udhëtari, ngase Allahu i Lartësuar, ka urdhëruar namazin me xhemat edhe në gjendje lufte, ka thënë: “Kur të jesh ti (Muhammed) bashkë me ta dhe u falë namazin, një grup prej tyre, duke i bartur armët, le të vijë e le të falet me ty (grupi tjetër në roje), e kur të bien në sexhde (të kryejnë një rekat), këta le të qëndrojnë mbrapa jush (në roje) e le të vijë grupi tjetër, që nuk është falur, e të falet me ty.” (Nisa: 102)
Pra, nëse udhëtari është në vend të huaj e ka obligim të jetë i pranishëm në namazin me xhemat nëse dëgjohet ezani. Përveç nëse xhamia është larg apo ka drojë se do t’i humbë bashkudhëtarët. E gjithë kjo për shkak të argumenteve të përgjithshme që aludojnë në obligimin e namazit me xhemat për atë që e dëgjon ezanin apo ikametin.
Sa i përket namazeve vullnetare, udhëtari i falë të gjitha namazet vullnetare përveç suneteve të drekës, akshamit dhe jacisë. Ai mund ta falë vitrin, namazin e natës, namazin e duhasë, sunetet e sabahut si dhe nafilet tjera, përveç atyre që i përmendëm.
Ndërsa bashkimi i namazeve është si vijon: “Nëse është duke udhëtuar, më mirë është t’i bashkojë drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë. Mund të bën bashkim të hershëm apo të vonshëm, cila t’i duket më e lehtë. Ajo që është më e lehtë është më e mirë. Mirëpo, nëse nuk është duke udhëtuar, atëherë më mirë është të mos i bashkojë. Por, nëse i bashkon nuk prishë gjë, ngase që të dyja janë transmetuar nga Resulullahu ﷺ.”
Sa i përket agjërimit të udhëtarit, më e mira është që të agjërojë. Nëse nuk agjëron nuk prishë gjë dhe ato ditë që nuk i ka agjëruar duhet t’i kompensojë. Nëse prishja e agjërimit është lehtësim për të, atëherë më mirë është të mos agjërojë. Sepse Allahu ka dëshirë që të pranohen lehtësimet që i ka dhënë.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Përktheu: Omer Berisha
———————————————————————
[1] E përmenda këtu edhe namazin, duke pasur kujdes që ta përmendi fetvanë tekstualisht.
[2] Buhariu në kapitullin e Shkurtimit të namazit (1090); Muslimi në kapitullin: Namazi i udhëtarëve dhe shkurtimi i tij (685).
[3] Buhariu në kapitullin e Shkurtimit të namazit (1081); Muslimi në kapitullin: Namazi i udhëtarëve dhe shkurtimi i tij (693).
[4] Buhariu (636) dhe Muslimi (151).