Pyetje: Si falet namazi i natës?

Përgjigje: Alejkumselam. Falënderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari: Namazi i natës mund të falet me zë dhe mund të falet pa zë, por më e pëlqyer është që ndonjëherë të falet me zë, e ndonjëherë pa zë, ngase kështu është falur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhiveselem). Thotë Abdullah ibn Ebi Kajsi: E pyeta Aishen (radijallahu anha), a është falur Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) me zë apo pa zë? Tha: Ndonjëherë është falur me zë, e ndonjëherë pa zë. (Transmeton Muslimi, Nesaiu, Ebu Davudi dhe Ahmedi)

Së dyti: Namazi i natës mund të falet vetëm dhe mund të falet me xhematë. Falet me xhematë në Ramazan dhe në ndonjë rast kur dikush i bashkangjitet në namaz atij që është duke u falur, sikur që iu bashkangjitën namazit të Pejgamberit (salallahu alejhiveselem) Ibn Abasi, Ibn Mes’udi dhe Hudhejfeh ibn Jemani. Kështu mund t’i bashkangjiten edhe familjarët atij që është duke u falur në shtëpinë e tij dhe të falin namazin e natës me xhematë ndonjëherë. Ndërsa në mënyrë të organizuar sikur në Ramazan, nuk falet namazi i natës edhe në muajt tjerë. (Sherhul Mumti’ 4/82)

E nëse falet namazi i natës me xhematë, atëherë leximi i imamit duhet të jetë me zë, ndërsa nëse falet vetëm, atëherë ndonjëherë lexon me zë e ndonjëherë pa zë.

Së treti: Lejohet leximi me Kur’an në dorë në namazet nafile dhe një gjë e tillë është vërtetuar prej Aishes (radijallahu anha). (Transmeton Buhariu 1/245)

Thotë Imam Neveviu: Nëse lexon Kur’an me Mus-haf (në dorë) nuk prishet namazi, pa marrë parasyshë a e di atë përmendësh a jo, bile është e obliguar ajo nëse njeriu nuk e di suren Fatiha përmendësh dhe nëse i ndërron faqet e tij nuk prishet namazi.. Ky është medhhebi jonë, medhhebi imam Malikut, Ebu Jusufit, Muhamedit dhe Imam Ahmedit. (El-Mexhmu’ 4/27)   Së katërti: Është e pëlqyer që namazi i natës të falet njëmbëdhjetë apo trembëdhjetë rekatë dhe atë dy nga dy.

Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Namazi i natës është dy nga dy, e kush frikohet nga arritja e mëngjesit le të falë një rekatë vitër, për të përfunduar atë që ka falur“. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)   Për numrin e rekateve të namazit të natës, lexo dhe: Sa është numri i rekateve të namazit të teravisë?

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami