Allahu thotë në Kuran:

وَمَنْ أَعْرَضَ عَن ذِكْرِى فَإِنَّ لَهُۥ مَعِيشَةً ضَنكًا وَنَحْشُرُهُۥ يَوْمَ ٱلْقِيَـٰمَةِ أَعْمَىٰ

Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. (Surja Ta Ha : 124)

Komenti:

“Por, kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe Ditën e Kijametit do ta ringjall të verbër. ” – Libri i Allahut është ai që i mëson njeriut qëllimet më të larta dhe rrugën e arritjes së tyre. Por nëse njeriu i shpërfill ato ose, më keq, i refuzon me forcë ato, atëherë ai ka për të pasur një jetë shumë të vështirë e të dhembshme. Ky është ndëshkimi për një veprim të tillë. Disa shpjegojnë se “jeta e ngushtë” nënkupton dënimin e varrit. Atyre do t’u ngushtohet varri si ndëshkim, për shkak se kanë harruar Zotin.

Sipas këtij shpjegimi, ky është njëri nga ajetet që tregojnë për vërtetësinë e ndëshkimit në varr. Në ajete të tjera thuhet: “Eh, sikur t’i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, ndërsa melekët kanë shtrirë duart e veta e u thonë: “Jepeni shpirtin! Tani do të vuani dënimin poshtërues, sepse ju thoshit të pavërteta për Allahun, kurse ndaj shenjave të Tij tregoheshit kryeneçë. ” [En’am 93]. “Ne do t’i bëjmë ata që të shijojnë dënimin më të shpejtë, para dënimit të madh…” [Sexhdeh 21].

Një tjetër ajet është edhe ai që flet për ndëshkimin në varr të pasuesve të Faraonit, së bashku me Faraonin: “Ata do të sillen para zjarrit mëngjes e mbrëmje, ndërsa kur të vijë Ora, do të thuhet: “Futini ju pasuesit e Faraonit në dënimin më të rëndë!” [Gafir 46]. Ata që janë të mendimit se këtu flitet për ndëshkimin e varrit arsyetojnë se në fund të ajetit përmendet ndëshkimi i Ditës së Kijametit. Kështu, sipas tyre, meqë në fund është përmendur dënimi në ahiret, atëherë dënimi që është përmendur më parë duhet të jetë në jetën e varrit.*

Mufesirë të tjerë janë të mendimit se “jeta e ngushtë” tregon dënimin dhe vuajtjen në jetën e kësaj bote, në varr dhe në ahiret, sepse shprehja vjen në formë të përgjithshme e jo të kufizuar. Edhe në këtë botë, njeriu që i kthen shpinën udhëzimit të Zotit bën jetë të mbushur me brenga e ankthe, me frikë e vuajtje. Në ahiret, ai do të ringjallet i verbër me plot kuptimin e fjalës, siç thotë i Madhëruari: “Ditën e Kijametit, Ne do t’i tubojmë ata duke i tërhequr zvarrë me fytyra përmbys, të verbër, memecë dhe të shurdhër. Vendi i tyre është Xhehenemi. Sa herë që duket se flaka po shuhet, Ne do ta shtojmë atë. ” [Isra 98]. Në momentet e ndëshkimit, ky njeri i poshtëruar i drejtohet Zotit e i thotë:

*Kur lidhëza ‘ue’  (dhe)  përdoret mes dy fjalive ka kuptimin ‘ndërsa’, pra, ato tregojnë dy gjëra të ndryshme, jo të njëjta.

[ Tefsiri i Sadit ]