Pyetja:

Ne shpesh kur bëjmë nijet për të bërëpunë të mira për hatër të Allahut pa dashje na përzihet nijeti dhe mundohesh edhe për hatrin e dikujt tjetër, larg qoftë! Si ta pastrojmë nijetin? Nëse kjo na irriton a është shenjë e mirë?

***

Përgjigjja:

Kjo është e vërtetë dhe prandaj puna e nijetit ka shumë rëndësi. Dhe sado që mundohemi nuk mundemi ta theksojmë sa i rëndësishëm është sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Veprat shpërblehen sipas nijetit.” [1]

Sa prej njerëzve bëjnë vepra të mira në sy të tjerëve por tek Zoti nuk peshojnë asgjë? Ngase nijetin nuk e kanë pasur të mirë. E nijeti i mirë është të jetë për Allah dhe puna të jetë e shëndosh sheriatikisht që është në përputhshmëri me Kuranin dhe sunetin e Pejgamberit ﷺ, pra pajton feja islame atë punë.

Ndodh nganjëherë të ndërhyj lakmia, kënaqësia, dëshira për diçka tjetër. Shembull njeriu dëshiron të jap para sadaka për një xhami apo shkollë, spital, urë apo rrugë, apo një punë tjetër të hajrit. Dhe ai i dhuron të hollat por njëkohësisht ka dëshirë ta përmend këtë apo ta shkruaj në një vend ku shihet. Kjo mund ta dëmtoj dhe zbeh shpërblimin e nijetit. Por nëse robi është i kujdesshëm dhe përsërit sinqeritetin (ihlasin) që ta ketë për Allah, edhe nëse nën të futen interesa tjera nuk prishë punë.

Ashtu siç morëm shembull se ti jep sadaka për diçka të caktuar dhe më vonë të kthehet ty diçka prej saj, tek kjo nuk ka ndonjë pengesë ngase në parim ti e ke pasur për Allah nijetin. Apo shembull ata që marrin dije, studentat, ata duhet ta kenë nijetin ta marrin dijen për hir të Allahut, përndryshe nuk kanë shpërblim. Tani ai sado ta ketë për Allah, çfarëdo shkence qoftë që është duke marrur dije, nga shkencat fetare e deri tek ato mjekësore e shoqërore, sado që studentat e kanë nijetin për Allah nën vetëdijen e tyre e kanë edhe elementin tjetër, faktin se përfitojnë edhe në dunja nga ajo shkollë. Shembull bëhet mjek bëhet i famshëm në mjekësi, ose i del një biznes i suksesshëm apo me arkitekturë apo me programim, dizajn, apo bëhet hoxhë e më pas e ftojnë në dreka e darka, ose e vendosin të parin etj. Këto janë gjëra që i vijnë njeriut vetëvetiu në mendje, por të cilat nuk e pengojnë të parën çështje e që është se ti e ke nijetin për Allahun.

Andaj duhet ta përsërisimin nijetin, më shumë se njëherë nga frika se po na humbet. Lutemi duke thënë: “O Allah, bëje që fjalët tona, veprat tona t’i kemi vetëm për hir Tëndin!”

Dr. Shefqet Krasniqi

—————————-

[1] Buhariu, 1.

Comments are closed.