Pyetja:

Cili është ilaçi për një njeri të pllakosur nga një sëmundje shpirtërore;
një njeriu që gjendet në shtrëngimin e shkatërrimit?  Si të bëhem një që ndihmohet nga Allahu?

***

Përgjigjja:

Ilaçi i tij është në kthimin tek Allahu, në vazhdimin e lutjeve që i mëson nga pejgamberi Muhamed ﷺ, dhe në zgjedhjen me kujdes të kohëve kur lutjet marrin përgjigje, siç është pjesa e fundit e natës, koha mes ezanit dhe ikametit, gjatë sexhdes dhe pas namazit.

“Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kurani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve);Allahu e di ç’punoni ju”.(Ankebut: 45)

Po ashtu ai le të mësojë dhikrin e mëngjesit, të mbrëmjes, dhikrin para gjumit, dhe le t’u rezistojë me durim gjërave që e parandalojnë nga kjo, se do të jetë vetëm çështje kohe para se Allahu t’i dërgojë ndihmën nga Ai dhe t’ia shkruajë imanin në zemrën e tij.

Le të sigurohet ai po ashtu që t’i kryejë të gjitha obligimet, përfshirë pesë kohët e namazit të ditës, së brendshmi dhe së jashtmi, meqë namazi është shtylla e fesë.

“Kur të kryeni namazin (e frikës) përmendeni Allahun, kur jeni në këmbë, ulur, mbështetur. E kur të qetësoheni (nga lufta), atëherë faleni namazin në mënyrë të rregullt, pse namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët”.(Nisa: 103)

Gjithashtu shumica e fjalëve të tija të jenë fjalët : La hawle we la kuwwete il’la bil’lahil-Alijul-Adhijm (S’ka ndryshim të gjendjes e as fuqi për ndryshim, përveçse nëpërmjet Allahut të lartësuar e të madhërishëm). Nëpërmjet kësaj thënie, njeriu do të jetë në gjendje të bartë barrët më të rënda, të përballet me të gjitha tmerret, dhe të arrijë rrethanat më të mira.

Kurrë ai të mos lodhet duke u lutur dhe duke i kërkuar Allahut, se lutja do të marrë përgjigje për sa kohë që ai të mos ngutet e të thotë: “U luta, por nuk mora përgjigje.”

Le ta dijë se fitorja është me durim, qetësimi me ankth, dhe vështirësia me lehtësim.

Dhe s’ka njeri që mund të arrijë ndonjë formë mirësie, qoftë ai pejgamber, qoftë më pak se kjo, përveçse me durim.

Imam ibn Tejmie, “Mukhteser el-Fetaawa el-Misrijje”