Mërzia e gjatë për familjarin e vdekur

Duhet të bësh durim. Durimi është obligativ në këtë rast. Ndërsa mërzia nuk tregon për mosdurim, ngase ajo është një gjë e cila e godet njeriun, dikë më shumë e dikë më pak, varësisht sa ka pasur lidhje me personin, apo sa e njeh Allahun, sa di për kaderin, sa ka bindje etj. Për këtë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka lutur Allahun t’i japë bindje (jekin) e cila ia lehtëson sprovat e kësaj dunjaje. Në disa raste mërzia kthehet te vetë natyra e personit, sepse disa janë më të dhimbshëm, më të ndjeshëm, sprovat i përjetojnë më rëndë. Mirëpo, në këtë rast muslimani duhet të kujtojë gjërat që ia lehtësojnë këtë sprovë:

-Kjo ka qenë caktim i Allahut, nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, Ai e ka caktuar atë 50.000 vjet para se të krijojë qiejt dhe tokën.

-Ai e di më së miri se kur ta marrë robin e Tij, kur është më e përshtatshme për të. Kur Allahu cakton të ndodhë diçka, e cakton në bazë të urtësisë së Tij, Ai e di më së miri se çfarë urtësi fshihen pas atij kaderi. Ndoshta, Allahu e ka ditur se nëse do ta linte të jetonte ende, do të devijonte prej fesë, andaj e ka marrë në një kohë kur ka qenë i fortë në fe dhe besim.

-Vdekja nuk është ndarja përfundimtare mes personave. Por, ndarja përfundimtare është kur njëri shkon në xhehenem dhe tjetri në xhenet. Kjo është një ndarje nga e cila më kurrë nuk shihen. E nëse të dytë janë besimtarë e muslimanë, atëherë vdekja për ta është ndarje e përkohshme, ata prapë bëhen bashkë në një vend më të mirë sesa kjo dunja e cila është përplot brenga e shqetësime.

Hoxhë Lulzim Perçuku