Pyetja:

Jam një motër muslimane. Unë dhe bashkëshorti im praktikojmë Islamin, mirëpo prindërit e mi punojnë me kamatë. A e kam të lejuar të ha ushqimin e tyre kur shkoj tek ata?

***

Përgjigjja:

Pasuria e ndaluar në Islam ndahet në dy lloje:

1. Pasuria e ndaluar në vetvete, si p.sh. alkooli, pasuria e vjedhur etj.. Kjo lloj pasurie është e ndaluar si për atë që e ka fituar, ashtu edhe për përfituesit e tjerë. Nëse një jobesimtar na dhuron një shishe alkool, atëherë nuk na lejohet ta pranojmë këtë dhuratë ngase alkooli është i ndaluar (haram) në vetvete. Apo nëse një person ka vjedhur një dele dhe na dhuron një pjesë prej mishit të saj, atëherë neve na ndalohet të pranojmë një dhuratë e cila është e vjedhur, ngase vjedhja konsiderohet e ndaluar në vetvete.

2. Pasuria e ndaluar për shkak të mënyrës së fitimit të saj, si p.sh. kamata, ryshfeti, mashtrimi etj.. Kjo lloj pasurie është e ndaluar vetëm për vepruesin e veprës së ndaluar, por është e lejuar për të tjerët që të përfitojnë prej kësaj pasurie nëse nuk e ndihmojnë në kryerjen e ndalesës. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka bërë shitblerje me hebrenjtë si dhe ka pranuar dhurata prej tyre duke e ditur se ata kanë bashkëpunuar me kamatë.

Nëse prindi juaj punon me kamatë, atëherë përgjegjësia për mëkatin është vetëm e tij, kurse juve ju lejohet që të ushqeheni dhe të merrni prej pasurisë së tij. Ani pse ajo pasuri për ju është e lejuar, megjithatë përdorimi i saj me kufi, vetëm sa për të plotësuar nevojat tuaja jetësore, do të ishte më i mirë sepse është më afër devotshmërisë.

Mirëpo nëse mendoni se refuzimi i pranimit të dhuratës apo ushqimit do të ndikojë që prindërit tuaj të largohen nga kamata, atëherë ju duhet ta përdorni metodën e refuzimit me qëllim të përmirësimit të tyre.

Në çdo situatë nuk duhet të harroni përdorimin e këshillës së mirë në një anë si dhe obligueshmërinë e mirësjelljes ndaj prindërve në anën tjetër.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi