Pyetja:

A bën ta vendos fotografinë e të vdekurit në mur?

***

Përgjigjja:

Nuk lejohet varja në mur e fotografive të gjallesave që kanë shpirt, qoftë të njerëzve të gjallë apo të vdekur, apo edhe të kafshëve, ngase Pejgamberi ﷺ na ka lajmëruar se melekët nuk hyjnë në atë shtëpi që ka fotografi. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Melekët nuk hyjnë në atë shtëpi që ka qen apo fotografi-idhuj.” [1]

Pastaj varja e fotografisë së të vdekurit në mur ndikon në shtimin e mërzisë dhe pikëllimit. Gjithashtu një gjë e tillë mund të ndikojë që të madhërohen ato fotografi, në veçanti nëse ai person ka qenë me famë, madhërim ky i cili mund të kalojë edhe në adhurim, siç ka ndodhur në të kaluarën, ku me kalimin e kohës i kanë adhuruar duke i bërë zota. Një gjë e tillë veç është duke ndodhur tek ne, ku njerëzit janë dhënë shumë pas fotografive, skulpturave, lapidarëve të të vdekurve dhe po kemi frikë se kjo dukuri dalëngadalë do të kalojë edhe në adhurim e madhërim, e që rezulton më pastaj t’i bëhet Zotit shirk, Allahu na ruajttë.

Fotografitë e gjallesave që kanë shpirt duhet të ruhen në ndonjë vend të mbyllur si albume, apo sirtarë e dollapë dhe të shikohen kur ndiejmë nevojë për t’i parë. Në vend të këtyre në mur mund të varen fotografi me peizazhe të natyrës, si lule, lisa, kodra, livadhe, lumenj, etj..

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 3225; Muslimi, nr. (2106) 87.