Pyetja:

Kur një femër është me fëmijë të vogël dhe do të falë namazin e xhumasë, mirëpo fëmija fillon të qajë dhe e pengon. A mund të mos e falë për momentin namazin?

***

Përgjigjja:

Së pari duhet të dimë se femra nuk e ka detyrë namazin e xhumasë. Në hadithin e Tarik ibn Shihabit nga Profeti ﷺ përjashton nga detyrimi i namazit të xhumasë femrën, skllavin, fëmijën dhe të sëmurin. Andaj dhe dijetarët islamë kanë rënë në ixhma (unanimitet të plotë) se femra nuk e ka detyrë (vaxhib) namazin e xhumasë, por ka detyrë të falë namazin e drekës si çdo ditë. Gjithashtu dijetarët kanë rënë në ixhma se nëse femra prezenton në xhami dhe fal namazin e xhumasë lirohet nga detyrimi i faljes së drekës. Kështu që në rastin kur pengohet nga dicka dhe nuk e fal dot xhumanë edhe pse ndodhet në xhami ajo mund të falë lirisht namazin e drekës në xhami ose në shtëpi vetë. Mirëpo në të njëjtën kohë këshillojmë që fëmijët e vegjël të cilët lëvizin, bëjnë zhurmë ose qajnë të mos merren në xhami për namazin e xhumasë që të mos bëhen pengesë për dëgjimin e hytbes dhe faljen e namazit. Ose të edukohen mirë që të kuptojnë shenjtërinë e xhamisë dhe të falen dhe ata si të rriturit duke treguar respekt dhe përkushtim për xhaminë, hytben dhe namazin njëkohësisht.

Komisioni i Pyetjeve & Përgjigjeve pranë LHSh

————————————–

[1] Ebu Davudi (1067)