Pyetja:

Disa e ndiejnë veten më të çmuar vetëm pse i takojnë racës së bardhë?

***

Përgjigjja:

Të gjitha këto dallime mes njerëzve Allahu i Madhëruar i ka bërë me urtësinë e Tij të pakufishme dhe askund nuk na ka njoftuar, se raca e bardhë e çmon njeriun ndaj racës së zezë, por është diçka tjetër që e dallon njeriun prej njeriut. Këto dallime janë argumente të Allahut rreth të cilave duhet të meditohet.

Në suazat e ajeteve që flasin për këtë temë, i Dërguari i Allahut ﷺ e ka edukuar gjeneratën e sahabëve. Kur u ligjësua ezani, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Bilalin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ta thërresë ezanin. Kur u ngjit Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ta thërresë ezanin, e ai ishte etiopian i racës së zezë, Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), tha: A ky i biri i të zezës do të na thërresë për në namaz?!
Pejgamberi ﷺ u zemërua shumë dhe i tha: “Ti, o Muadh, ke ende mbeturina të xhahilijetit.” Pastaj Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), u pendua dhe kërkoi nga Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), që t’ia falë. Pra, Pejgamberi ﷺ e ka theksuar se ky dallim, nëse shihet si nënçmim, i takon xhahilijetit, injorancës. Islami e dënon këtë lloj dallimi. Po ashtu Pejgamberi ﷺ nuk e ka lejuar që në mesin e muslimanëve të bëjnë dallim sipas racës dhe ka thënë: “O njerëz, Zoti juaj është Një, babai juaj është një, dijeni se arabi nuk ka dallim me joarabin, as joarabi me arabin, as i kuqi me zezakun dhe as zezaku me të kuqin, përveçse në devotshmëri”. [1]

Alaudin Abazi

——————————

[1] Sahih ligajrihi, shih: Sahihu Tergib nr. 2964