Pyetja:

A lejohen hilet dhe mashtrimet në kontratat e ujit ose rrymës ndaj autoriteteve të një shteti joislam?

***

Përgjigjja:

Në kontratat e nënshkruara me autoritetet e një shteti joislam nuk lejohen hilet dhe nuk ka asnjë dallim me kontratat e nënshkruara me autoritetet e një shteti islam sepse harami mbetet haram edhe me ata që nuk besojnë në hallall dhe haram.

Ndoshta duke parë në historinë e Shuajbit mund të gjejmë një mënyrë argumentimi për këtë që thashë. Ja çfarë thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Në Medjen dërguam vëllain e tyre Shuajbin dhe ai ju tha: O populli im, adhuroji Allahun se nuk keni të adhuruar tjetër veç tij! Unë u kam ardhur me argumente nga Zoti juaj prandaj përsoseni matjen dhe peshoren dhe mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre dhe mos prishni në tokë pas rregullimit të saj!  Kjo është më e mirë për ju nëse jeni besimtarë” (Araf: 85). Në këtë ajet, populli i Shuajbit përshkruhet si popull idhujtar dhe nga ana tjetër Allahu i ndalon ata të mashtrojnë në matje dhe peshore sepse mashtrimi është i ndaluar në parim dhe nuk lejohet si mes myslimanëve ashtu edhe mes jomyslimanëve dhe askush nuk mund të thotë se Shuajbit si besimtar i drejtë mund t’i lejohej ta kundërshtonte këtë parim kundrejt tyre përderisa ata nuk besonin në të. Pastaj ne jemi umet që ftojmë në fenë tonë si me fjalë ashtu dhe me vepra dhe sjellje të mirë dhe këto të dyja asnjëherë nuk ndahen nga njëra-tjetra. Madje ndarja e tyre është shumë e urryer për Allahun siç thuhet në Kuran: “O ju që keni besuar, pse thoni atë që nuk e veproni? Sa e urryer është për Allahun të thoni atë që nuk e veproni. ” (Saf 2-3). Tani, ja dhe zbatimi i këtij rregulli nga vetë Shuajbi siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Shuajbi u tha: O populli im (ç’ju shtyn ju të më përgënjeshtroni), nëse kam një argument të qartë nga Zoti im dhe më ka dhanë rizk të mirë! Unë nuk dua t’ju kundërshtoj në atë që ju ndaloj ju, unë vetëm dua të rregulloj aq sa kam mundësi dhe suksesi im nuk është veçse prej Allahut, Atij i jam mbështetur dhe Atij i nënshtrohem” (Hud: 11) Fjala e Allahut “Unë nuk dua tju kundërshtoj në atë që ju ndaloj ju” do të thotë: Unë nuk jam prej atyre që ndalojnë nga diçka pastaj e bëjnë vetë.

Komisioni i përhershëm i fetvave në këtë pyetje është përgjigjur se nuk lejohet, ta zëmë, ndalimi i sahatit të rrymës ose ujit në shtet islam ose joislam, edhe nëse shteti merr nga ne taksa padrejtësisht. Vjedhja e ujit ose rrymës është ngrënie e pasurisë së njerëzve.

Dr. Abdullah Nabolli