Pyetja:
A i ngrejmë duart në namazin e xhenazes (në tekbiret që bëhen në të)?
***
Përgjigjja:
Forma e namazit ka nevojë për argument të përcjellë (prej Profetit ﷺ). Origjina është: mos-ngritja e duarve, nëse vjen argumenti, atëherë i ngrejmë duart.
Gjykimi i ngritjes së duarve në tekbiret e xhenazes. Ngritja e duarve në tekbirin fillestar është e pranuar unanimisht pa kundërshtim në këtë. Kundërshtimi është në ngritjen e duarve në tekbiret e mbetura. A ngrihen duart apo jo?
Argumentet e përcjella në këtë temë nuk saktësohen, veçse prej veprës së Abdullah ibn Umerit – Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve. Nuk ka ardhur nga Profeti ﷺ as që e ka vepruar e as që nuk e ka vepruar, në lidhje me ngritjen e duarve në tekbiret e tjera në namazin e xhenazes. Ajo që ka ardhur me rrugë të saktë në këtë temë, është vepra e Ibn Umerit. Abdullah ibn Umeri – radijallahu anhuma – i ngrinte duart.
Sahabët – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre – kanë disa veçori në fikhun e tyre, secili prej tyre në fikhun e tij ka disa veçori. Prandaj kanë thënë se Ebu Xha’fer el Mensur, në fillim të jetës së tij ishte kërkues i dijes, dhe merrte dije prej Imam Malikut. Kur u bë halife i shkroi një letër imam Malikut ku i tha: “Më shkruaj një libër dhe shtjelloje atë, dhe ki kujdes prej shtrëngimeve të Ibn Umerit, prej lehtësimeve të Ibn Abbasit, dhe prej veçimeve të Ibn Mes’udit”.
Kështu Ibn Mes’udi ka gjëra me të cilat është veçuar prej sahabëve të tjerë. Prej këtyre veçimeve të tij është se Ibn Mes’udi nuk e shikonte të lejuar bashkimin mes namazeve, dhe të gjithë ata që kanë këtë mendim, e kanë marrë prej Ibn Mes’udit, dhe kjo ka përgjigjen e vet (që s’është vendi ta sqarojmë tani). Madje ai ka edhe mendime që bien ndesh me shumicën e sahabëve.
Ibn Umeri ka shtrëngime. Ai psh: lante të bardhën e syve (gjatë abdesit). Dhe ai ka gjithashtu disa veçime. Prej tyre ishte se ai – ndryshe nga sahabët e tjerë – e shikonte si të ligjëruar dhënien mes’h mbi fashon e plagës (fërkimi i saj me dorë të lagur). Dhe ky është mendimi i shafiive, të cilët janë mbështetur te mendimi i Ibn Umerit. Ibn Umeri dallohet me dy gjëra:
E para: Ka shumë qëndrime të veçuara.
E dyta: Ai dallohet për pasimin e tepruar. Ai e pasonte Profetin ﷺ në formë të tepruar.
Tani dijetarët e shikojnë ngritjen e duarve nga ana e Ibn Umerit, në tekbiret e namazit të xhenases, në dy këndvështrime:
I pari: Disa prej tyre e shikojnë këtë si një prej veçimeve të tija.
I dyti: Kanë thënë se ky është prej pasimeve që ai i bën Profetit ﷺ. Dhe ky veprim i tiji është “meukuf” (vepër sahabi), por ka gjykimin e “ref’it” (sunet prej Profetit ﷺ). Sepse Ibn Umeri nuk bënte gjë prej adhurimeve nga mendja e tij, e as nga ixhtihadi i tij. Kështu këta dijetarë thonë se: Ibn Umeri nuk i ka ngritur duart veçse ngaqë ka parë Profetin ﷺt’i ngrinte ato, e nëse nuk do ta kishte parë, nuk do t’i kishte ngritur duart.
Ndërsa të parët kanë thënë se kjo është prej veçimeve të tij. (Dhe nuk ja kanë pranuar).
Kështu që çështja siç e shikoni është ixhtihadijeh (që pranon diskutim shkencor). Prandaj e kam dëgjuar shejhun tonë (shejh Albanin) të thotë: Kush i ngre duart në tekbiret e xhenazes, duke u mbështetur në veprën e Ibn Umerit, dhe duke menduar se Ibn Umeri nuk e ka bërë këtë veçse duke imituar Profetin ﷺ, kjo vepër e tij ka një farë këndvështrimi. Përndryshe ne bazohemi më shumë me hadithet e Profetit ﷺ. Dhe nuk ka ardhur gjë nga Profeti ﷺ në këtë çështje. Dhe Profeti ﷺ e ka falur xhenazen shumë herë, dhe e ka falur përpara njerëzve të shumtë, dhe asnjëri prej tyre nuk na ka përcjellë se ai i ka ngritur duart në këtë rast.
Mbetet përmendja e një transmetimi tek Darakutnij se “Profeti ﷺ ngrinte duart në tekbirin fillestar (në namazin e xhenazes), pastaj nuk i ngrinte më pas kësaj.” Por ky transmetim nuk saktësohet. Po të saktësohej do të tregonte për veçimin e Ibn Umerit. Kështu që çështja mbetet e diskutueshme mes dy këndvështrimeve që thamë: a është kjo prej veçimeve të Ibn Umerit, apo prej pasimit të tij të fortë. Dhe Allahu i Lartësuar e di më së miri.
Shejh Mesh’hur Hasen
Përktheu: Fatjon Isufi