***
Përgjigjja:
Nuk lejohet që burri musliman ta ndalojë gruan e tij nga vizita e prindërve të saj të krishterë, pasi si muslimane, ajo obligohet t’i respektojë dhe të sillet mirë me ta. Në të vërtetë, këtë urdhër Islami e radhiti menjëherë pas urdhërit për të mos adhuruar tjetër pos Zotit (monoteizmit). Allahu i Madhërishëm thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve” (Isra: 23). Kjo, pasi obligimi më i madh i njeriut pas obligimit ndaj Allahut xh.sh. është obligimi ndaj prindërve.
Islami nuk e ka ndaluar muslimanin madje as nga mirësia ndaj prindërve idhujtarë. Ai nuk ka ndaluar nga kjo edhe nëse ata përpiqen që fëmija i tyre ta braktisë Islamin dhe ta përqafojë injorancën dhe idhujtarinë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindërit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (Isra’ -23)
“Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të keshë mirëkuptim ndaj tyre” (Llukman: 14-15)
Pra, në këtë ajet, Allahu i Lartësuar urdhëroi që të refuzohet kërkesa e prindërve për kthim në idhujtari, por njëkohësisht urdhëroi për sjellje të mira ndaj prindërve.
Pas marrëveshjes së Hudejbijes erdhi Esmaja, e bija e Ebu Bekrit, te Pejgamberi ﷺ dhe e pyeti: “O Pejgamber i Allahut, erdhi te unë nëna ime e cila ende është idhujtare, a t’i bëjmë mikpritje? (të tregojë mirësi ndaj saj dhe t’i japë diçka)”. Pejgamberi ﷺ tha: “ Po, respektoje nënën tënde”1.
Disa dijetarë kanë thënë se në këtë kontekst ka zbritur ajeti kuranor: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë” (60: 8).
Gjithashtu, Islami urdhëroi të lihet testament për prindërit jomuslimanë. Siç duket qartë prej ajetit kuranor:
“Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamenti (vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit u është bërë juve obligim, por ashtu si: është drejtë. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypet kryer” (Bekare: 180).
Dihet mirë se në Islam nuk lejohet testamenti për prindërit muslimanë sepse ata janë trashëgues, e për trashëgimtarin nuk ka testament.
Prandaj, ky ajet ka për qëllim prindërit dhe të afërmit jomuslimanë, sepse fakti se ata janë jomuslimanë nuk ua anullon të drejtat e tyre prindërore dhe farefisnore. Allahu i Lartësuar thotë: “dhe kinie frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni. Ruajeni farefisin (akraballëkun)” (Nisa: 1).
Islami miqësinë nga martesa e konsideroi si njërën prej lidhjeve natyrore që i lidh njerëzit me njëri tjetrin, ndërkaq lidhja tjetër është farefisi. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ai nga uji (fara) krijoi njeriun, e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi” (Furkan: 54).
Pra, kjo lidhje natyrore nuk duhet të lihet pasdore e as të shpërfillet; burri duhet të krijojë marrëdhënie të mira me të afërmit, e sidomos me prindërit e bashkëshortes së tij.
Ai duhet t’u bëjë mirë edhe nëse janë jomuslimanë, sepse me këtë sjellje ua shton simpatinë ndaj Islamit. Islami në botë është përhapur me karakterin e virtytshëm të muslimanëve dhe me sjelljen dhe trajtimin e mirë ndaj të tjerëve.
Muslimanit nuk i lejohet ta ndalojë gruan e vet nga mirësia ndaj prindërve të saj, qofshin muslimanë apo jomuslimanë, por përkundrazi, ai gjithmone duhet ta nxisë atë për një gjë të tillë, të shkojë bashkë me të në vizitë te prindërit e saj dhe t’i ftojë ata ta vizitojnë në shtëpinë e tij. Në këtë mënyrë mund të forcohet miqësia e martesës të cilën e legjitimoi Allahu i Lartësuar.
Burri gjithashtu duhet të kujtojë se prindërit e gruas së tij janë gjyshi dhe gjyshja e fëmijëve të tij; vëllezërit dhe motrat e bashkëshortes së tij janë dajallarët dhe tezet e fëmijëve të tij, dhe ndaj gjithë atyre ka obligime si ndaj farefisit.
Burimi: Radioislame