Këto qime, sipas mendimit më të drejtë të dijetarëve, lejohen të hiqen, ngase nuk ka ndonjë argument konkret që e ndalon. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Hallall është ajo që e ka lejuar Allahu në librin e Tij, haram është ajo që e ka ndaluar Allahu në librin e Tij, e ajo për të cilën ka heshtur, është e falur nga ana e Allahut”. [1]
Në librin e Allahut, dhe as në sunetin e Pejgamberit ﷺ, nuk ka argument që ndalon heqjen e qimeve të këmbës dhe të pjesëve tjera të trupit për të cilat nuk ka ndalesë. Për atë, nuk ka pengesë që të hiqen qimet e këmbëve.
Dijetarët theksojnë se kjo nuk duhet të bëhet me qëllim që mashkulli tu ngjajë femrave, nëse eventualisht dikush mund ta ketë këtë qëllim me heqjen e qimeve të këmbëve apo të pjesëve tjera të trupit.
Me këtë rast, nuk e shoh shumë të rëndësishme që të përmendet se disa e kanë ndaluar heqjen e qimeve të këmbëve me pretekst se me këtë, ndryshohet krijatura e Allahut. Por, ky shpjegim është jo i drejtë dhe jo i mbështetur në argumente, për atë edhe nuk ngre peshë të përmendet.
Allahu e di më së miri.
Bashkim Aliu
———————————–
[1] Tirmidhiu hasen-i mirë