Pyetja:
Kur vendosim të bëjmë fëmijë, sa rekate namaz duhet të falim?
***
Përgjigjja:
Motër e nderuar, nuk ka namaz të veçantë i cili falet kur njeriu vendosë të bëjë veprime gjatë marrëdhënieve intime të cilat si zakonisht rezultojnë me fekondim dhe shtatëzani te femra.
I Dërguari i Allahut ﷺ na ka mësuar që para se të kemi marrëdhënie me bashkëshorten të kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej shejtanit, ashtu që nëse është caktim i Allahut të Madhërishëm që nga ai kontakt të lindë fëmijë, ai fëmijë me ndihmën e Allahut do të jetë i mbrojtur nga djalli. Normalisht, ndodhë të kesh mbrojtje, por ti vetë këtë mbrojtje ta braktisësh dhe të bëhesh cak i sulmit të djallit.
Besimtari duhet të bëjë lutje te Allahu i Madhërishëm që ta ruajë atë dhe fëmijët e tij nga djalli, por duhet edhe të punojë në drejtim të edukimit të fëmijëve, me qëllim që të mos jenë kafshatë e lehtë për djallin. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O besimtar, ruani veten dhe familjen tuaj nga zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët, të cilin do ta ruajnë engjuj të rreptë dhe të fortë. Nuk u kundërvihen asaj që i urdhëron Allahu dhe veprojnë si janë të urdhëruar.” (Tahrim: 6)
Poashtu, është përcjellur prej Pejgamberit ﷺ se ka thënë: ”Çdo njeri nga ju është bari dhe çdo njëri nga ju është përgjegjës për tufën e tij. Kujdestari që kujdeset për familjen është një bari dhe është përgjegjës për tufën e vet. Kryefamiljari është një bari i familjes së tij dhe mbajtës i shtëpisë dhe është përgjegjës për ta, femra është baresha e shtëpisë së burrit dhe fëmijëve të tij dhe është përgjegjëse per ta, çdo rob është përgjegjës për pasurin e pronarit të tij dhe çdo njeri nga ju është kujdestar dhe do të jep përgjegjësi për tufën e vet”. [1]
Poashtu, mbrojtja e fëmijëve duhet të bëhet edhe duke u mbrojtur prindi nga harami dhe mëkatet, me qëllim që të mos rritet fëmija duke u ushqyer me haram. Kjo është ajo që duhet ta ketë parasysh muslimani te çështja e fëmijëve.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu
———————————–
[1] Buhariu dhe Muslimi