Pyetja:

Unë jam një vajzë e shtëpisë dhe jam duke i mësuar duatë që së shpejti edhe të filloj me namaz. Por, problemi është se unë jam njoftuar me një djalë në internet. Ai i fal pesë kohët e namazit dhe ne duam të takohemi. A është kjo ndonjë gjë e keqe nëse unë takohem me të dhe e marr një shoqe me vete? Ai më ka thënë se dëshiron edhe të marrë puthjen e parë, në takimin e parë, sepse ne jemi larg njëri-tjetrit dhe mund që mos të duroj dhe të puthjen të ia jap një tjetrës. Unë e dua atë dhe nuk dua që ai të puthë dikë tjetër përpos meje. Çfarë të bëj? A të dal me të dhe t’ia jap puthjen time të parë, apo çfarë të bëj?

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut, përshëndetjet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ, shokët e tij, familjen e tij dhe të gjithë besimtarët që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Fillimisht më gëzon fakti për interesimin që ke në faljen e namazit. E lus Allahun që të ta mundësoj sa më shpejt të mësosh duatë dhe të fillosh me faljen e namazit. Këtë obligim madhështor që për fat të keq shumica e atyre që e quajnë vetën sot musliman e kanë lënë pas dore, ndërsa nuk ka obligim më të madh pas shqiptimit të shehadetit se sa falja e namazit. Namazi është shtylla e fesë.

Ndërsa sa i përket pytjes sate që ke parashtruar, do të mundohemi të përgjigjemi me atë që Allahu na ka dhënë neve prej dijes.

Motër e nderuar:
Me të vërtetë njeriut i cili nuk ia ka frikën Allahut sot iu kanë lehtësuar rrugët shumë për në harame dhe mëkate. Përparimi i teknologjisë ka bërë që lidhjet dhe takimet mund të bëhen në forma të ndryshme. Prej përparimit të teknologjisë është edhe shpikja e internetit dhe bisedat që bëhen përmes rrjeteve sociale apo në forma të ndryshme. S’ka dyshim se interneti ka mundësuar që njeriu të jetë në lidhje më të afërt me botën. Interneti ka dobitë e veta në shumë aspekte, por, i ka edhe anët negative që njeriu mund të bie në to. Sikur që dobitë e internetit janë të shumta edhe dëmet janë të shumta, prej tyre: humbja e kohës, përzierja e meshkujve me femra, futja nëpër faqe të pamorlashme etj. Prej dëmeve që i ka interneti është gjithashtu edhe biseda mes mashkullit dhe femrës ku bëjnë takime të ndryshme, flasin fjalë të ndyta, ndoshta vjen dhe deri te fejesa pa e njohur mirë njëri-tjetrin dhe pa ditur as rrethin familjar etj. Pastaj jo edhe rrallë ndodh që edhe të shihen përmes kamerave në internet e çka është edhe më e keqe zbulojnë pjesët e trupit para kamerës. Islami ndalon çdo rrugë që të çon deri te e keqja. Mu për këtë Islami ndalon edhe bisedat me meshkuj të huaj, qoftë përmes internetit apo ndonjë mjeti tjetër. Nuk lejohet biseda përveç në raste kur dëshiron të mësosh diçka për Islamin edhe ajo në masë të caktuar e jo si arsyetim pastaj të hapet dera e bisedës edhe për gjëra tjera personale. Njeriu gjithmonë duhet të ia ketë frikën Allahut dhe të ndalet në kufijt që Allahu i ka caktuar. Nëse ti e ke nijet fejesën me atë djalë, mund të takohesh me të nëse ty të shoqëron ndonjë i afërm i yti, në këtë mënyrë nuk ka diçka të keqe dhe nuk të lejohet ty asgjë tjetër në këtë takim përveç njoftimit me të. Ndërsa çdo gjë që behet tjetër qoftë ajo puthje apo prekje nuk të lejohet përderisa ti nuk e ke aktin e martesës me të. Ti je një vajzë e huaj për të, sikur që ai është një burrë i huaj për ty, derisa të bëhet akti i martesës. Andaj ki frikë Allahun dhe mos e hidhëro Atë, mos bë mëkate ndaj Allahut. Gjithashtu edhe ai djali duhet të ia ketë frikën Allahut dhe të mos veproj ato gjëra që Allahu i ka ndaluar. Allahu e din më së miri.

Shaban Murati