Pyetja:

Ekzistojnë disa njerëz, të cilët shërojnë me anë të të ashtuquajturës “mjekësi popullore”, sipas tyre, kur shkova tek njëri nga ata, më tha: “Më shkruaj emrin tënd, emrin e nënës tënde dhe kthehu nesër që ta marrësh përgjigjen”. Më pas, kur dikush shkon për të marrë përgjigjen ata thonë: “Ti je i sëmurë nga kjo sëmundje dhe kura jote është kështu …” Dikush nga ata thotë se përdor fjalën e Allahut gjatë shërimit. Ç’mendim keni në lidhje me këta persona dhe çfarë gjykimi ka shkuarja tek ta?

***

Përgjigjja:

Kush bën vepra të tilla tregon se ai bashkëpunon me xhindet dhe pretendon njohjen e të fshehtave, ndaj shkuarja tek ai nuk lejohet, as ta pyesësh, e aq më pak të kurohesh prej tij, sepse Profeti, ﷺ, për këtë kategori njerëzish ka thënë: “Kush shkon tek parashikuesi i së ardhmes dhe e pyet për ndonjë gjë, atij besimtari nuk i pranohet namazi për 40 ditë.” [1]
Është saktësuar në shumë hadithe se Profeti, ﷺ e ka ndaluar frekuentimin e magjistarëve, fallxhorëve, të parashikuesve të së ardhmes, e ka ndaluar të pyeturit e tyre dhe besimin në fjalët e tyre, duke thënë: “Kush shkon tek fallxhori dhe i beson fjalëve të tij, ai e ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit.”

Nëse dikush pretendon njohjen e së fshehtës, qoftë nëpërmjet hedhjes së gurëve, shkrimit të vijave në tokë, apo duke pyetur të sëmurin për emrin e tij dhe emrin e nënës, ose të ndonjë të afërmi tjetër; të gjitha këto janë fakte që vërtetojnë se ky person është fallxhor dhe pretendues i njohjes së parashikimit të së ardhmes, vepra rreth të cilave Profeti ﷺ na ka ndaluar që të pyesim apo t’u besojmë fjalëve të këtyre njerëzve. Pra, është detyrë të ruhemi prej tyre, të mos i pyesim ata, të mos kurohemi tek ta, edhe nëse pretendojnë se shërojnë me anë të Kuranit, sepse sikurse dihet, të humburit dhe njerëzit e së kotës e kanë natyrë të tyren mashtrimin dhe shtirjen, për këtë arsye besimi në fjalët e tyre nuk lejohet.

Çdokush që njeh ndonjë prej tyre, e ka për detyrë ta denoncojë tek gjykatësit, prijësit dhe tek qendrat e Organizatës që urdhëron për të mirë dhe ndalon nga të këqijat, në mënyrë që ata të ekzekutojnë mbi këta njerëz gjykimin e Allahut. Vetëm në këtë mënyrë muslimanët do të shpëtojnë nga e keqja që vjen prej tyre dhe nga gllabërimi që ata u bëjnë pasurive të njerëzve, pa asnjë lloj të drejte. Vetëm Allahut i kërkohet ndihmë, ue la haule ue la kuete ila bilah (Nuk ka forcë e as ndryshim pa lejen e Allahut).

Shejh AbdulAziz Ibn Baz

—————————–

[1] Muslimi