Pyetja:
Është e ditur se, pas kryerjes së operacionit, i sëmuri mbetet nën ndikimin e anestezionit (pa ndjenja) për një kohë dhe, pasi të zgjohet, ndien dhimbje edhe për disa ora tjera. Andaj, a të falet para kryerjes së operacionit, duke qenë se koha e namazit ende s’ka hyrë, apo ta vonojë namazin, derisa të jetë në gjendje ta fal atë në praninë e të gjitha shqisave, edhe nëse kjo ndodh një apo disa ditë më vonë?
***
Përgjigjja:
Është detyrë mbi mjekun të shikoj në këtë çështje. Kështu, nëse ka mundësi që fillimi i operacionit të shtyhet deri sa të hyjë koha e namazit, për shembull atij të drekës, atëherë, i sëmuri e fal drekën dhe ikindinë së bashku, pasi të ketë hyrë koha e drekës. Kështu vepron edhe gjatë natës; para fillimit të operacionit, ai e fal akshamin dhe jacinë së bashku, dhe atë pasi të ketë perënduar dielli. E, nëse operimi duhet patjetër të kryhet paradite, para hyrjes së kohës së namazit, atëherë, i sëmuri justifikohet. Mirëpo, ai duhet që, pasi të vijë në vete, të kompensojë namazet e ikura, edhe nëse kjo ndodhë një apo dy ditë më vonë.
Pra, momentin që kthjellet, ai e ka për detyrë të kompensojë namazet që i kanë ikur, dhe, elhamdulilah, nuk ka kurrfarë gjynahu për të. Gjendja e tij është e njëjtë me atë që e ka zënë gjumi; kur i fjeturi të zgjohet e të vijë në vete, duhet të falë me rend namazet e ikura. Pra, së pari e falë drekën, pastaj ikindinë, e kështu radhazi, derisa t’i kompensojë të gjitha. Kjo për shkak të fjalëve të Profetit ﷺ: “Kujt nuk i del gjumi për namaz apo harron të falet, atëherë le ta fal atë kur t’i kujtohet, sepse nuk ka shpagim tjetër (për namazin) përveç kësaj.” [1]
Kështu, vendimi për humbjen e vetëdijes që e shkakton sëmundja apo trajtimi mjekësor është i njëjtë me (vendimin për) gjumin e gjatë.
E, nëse ajo zgjatë më shumë se tri ditë, atëherë ai nuk e ka obligim kompensimin e namazeve të ikura dhe vendimi për të është i njëjtë me vendimin për të matufosurin.
Kështu, ai e fillon namazin pasi t’i jetë kthyer mendja, për shkak të fjalëve të Profetit ﷺ: “Lapsi nuk shkruan për tre persona: për të fjeturin derisa të zgjohet, për të voglin derisa të rritet (hyjë në pubertet) dhe për të çmendurin derisa t’i kthehet mendja.” [2]
Pra, Profeti ﷺ nuk e përmendi kompensimin për të voglin dhe për të çmendurin, por ajo çfarë saktësohet prej tij ﷺ është urdhri për kompensimin e namazeve drejtuar atij që e ka zënë gjumi dhe atij që ka harruar. Suksesi është prej Allahut.
Shejh AbdulAziz bin Baz
—————————-
[1] Buhariu dhe Muslimi
[2] Ibën Maxhe dhe Nesaiu