Pyetja:

Sa është numri i lëvizjeve, të cilat nëse bëhen gjatë faljes e bëjnë të pavlefshme atë?

***

Përgjigjja:

Nuk mund të themi se ka ndonjë numër të caktuar në lidhje me këtë. Nëse ai që është duke u falur, është duke kryer lëvizje të cilat nuk kanë lidhje me natyrën e namazit, aq sa nëse dikush që e sheh, mendon se ky njeri nuk është duke u falur, atëherë themi se namazi i tij është i pasaktë. Për këtë arsye, shumica e dijetarëve musliman, këtë çështje e bazojnë në atë se çfarë është traditë mes muslimanëve.

Nëse njeriu gjatë namazit bën lëvizje të shumta e të njëpasnjëshme, atëherë namazi i tij bëhet i pavlefshëm. Shumica e dijetarëve nuk përmendin ndonjë numër të caktuar në lidhje me këtë.

Sa i përket faktit se disa nga dijetarët musliman kanë caktuar se numri i lëvizjeve të cilat nëse bëhen gjatë faljes e bëjnë të pavlefshme atë, është tre, kjo ka nevojë për argument (pra, nuk është e saktë).

Kushdo që përmend numër të caktuar për ndonjërën nga dispozitat e fesë, apo përshkruan formën e caktuar të ndonjë adhurimi të pretenduar, duhet të sjellë argument për të. Nëse nuk sjell argument, atëherë ai ka futur në fenë e Allahut atë çfarë nuk është prej fesë!

Shejh Ibn Uthejmin

Përktheu: E. Ajdini