Pyetja:
Një grua vuan nga sekrecionet e shumta, gjë e cila e mundon së tepërmi për shkak të marrjes së shpeshtë të abdesit, veçanërsisht kur del nga shtëpia. A i lejohet asaj që ta falë drekën dhe ikindinë me të njëjtin abdes dhe akshamin dhe jacisë më të njëjtin abdes? Dhe a i lejohet që t’i bashkojë namazet në fillim apo në fund të kohës, duke i shkurtuar ato?
***
Përgjigjja:
Këto sekrecione që dalin prej gruas, janë sekrecione natyrale, por tek disa gra dalin vazhdimisht dhe tek disa të tjera jo. E nëse këto sekrecione janë të vazhdueshme tek gruaja, ato janë:
Së pari: të pastërta sepse nuk ka argument që të tregojë se ato janë të papastërta. Dhe në kohën e Pejgamberit ﷺ, gratë ishin sprovuar me këtë gjë dhe nuk është transmetuar gjë prej Pejgamberit ﷺ, që t’i këtë urdhëruar ato që të laheshin prej këtyre sekrecioneve.
Së dyti: Ajo poashtu nuk e ka obligim që të marrë abdes. Nëse njeriu merr njëherë abdes dhe mbetet i pastër (dmth., nuk e prish abdesin), atëherë nuk ka nevojë që të përsërisë abdesin për çdo namaz. Nëse merr abdes, më mirë akoma, e nëse nuk merr, nuk e ka obligim që të marrë abdes, por qëndron me pastërtinë e parë, derisa sa t’i prishet abdesi nga një prej prishësve të tij. Kështu, nëse merr abdes për namazin e drekës dhe mbetet me atë pastërti që ka bërë e nuk i ndodh ndonjë papastërti tjetër, siç është jashqitja, urina, gazrat, ngrënia e mishit të devesë e të tjera si këto, atëherë e fal ikindinë me atë abdes që ka, pa marrë abdes tjetër, ngase marrja abdes për diçka që nuk ndërpritet, nuk ka dobi; edhe sikur të marrësh abdes ajo gjë mbetet gjithësesi (pra, nuk largohet). Dhe ky është mendimi i saktë, i cili më është bërë i qartë së fundi. Dhe nuk mund ta fshehim se në të ka lehtësim për gratë, për aq kohë sa nuk ka një tekst të qartë rreth kësaj çështjeje.
Shejh Salih el-Uthejmini
Përktheu: Suad Shabani