Pyetja: Si është vendimi mbi veprimet e bëra në ditën e Ashures, si bartja e surmes, gusli (larja e trupit), përdorimi i kënës, dhënia e dorës shoqi-shoqit, zierja e grurit, shfaqja e gëzimit e kështu me radhë? A ka ndonjë hadith lidhur me këto të transmetuar nga Pejgamberi ﷺ? Çka në lidhje me gjërat që i bëjnë njerëz tjerë, si të mbajturit zi, ankimi, dalja pa pasur diçka për të pirë, lavdërimi i tepërt, vajtimi, shqyerja e teshave, etj? A ka bazë për këto gjëra?

Përgjigja:

Lavdi Allahut, Zotit të Botëve.

Asgjë s’është transmetuar lidhur me këtë në ndonjë hadith sahih nga Pejgamberi ﷺ apo nga sahabët e tij (Allahu qoftëi kënaqur me ta). Asnjë nga imamët e muslimanëve nuk nxiti e nuk inkurajoi për të bërë këtë. Asnjë dijetar i besueshëm nuk ka transmetuar diçka të këtillë as nga Pejgamberi ﷺ, as nga sahabët, as nga tabi’inët, as në ndonjë transmetim sahih apo da’if, as në librat e Sahihve, të Suneneve apo të Musnedeve. Asnjë hadith i kësaj natyre nuk është njohur gjatë shekujve më të mirë, por disa nga transmetuesit e vonë transmetuan hadithe si ai ku thuhet: “Kushdo që vë surme në sytë e tij në ditën e Ashures, s’do të pësojë nga ndonjë sëmundje e syve atë vit, dhe kushdo që lahet (bën gusël) në ditën e Ashures, s’do të sëmuret në atë vit, etj.”

Ata kanë përcjell dhe transmetime lidhur me vlerat e supozuara të namazit në ditën e Ashures dhe të tjera transmetime, ku thuhet se në ditën e Ashures u pendua Ademi, anija e Nuhut u ndal në kodrën Xhudi, Jusufi iu kthye Jakubit, Ibrahimi u shpëtua nga zjarri, dashi qe ofruar në vend të Ismailit dhe kështu me radhë. Ata, gjithashtu, transmetuan një hadith të shpikur, i cili i atribuohet rrejshëm Pejgamberit ﷺ, ku thuhet: “Kushdo që tregohet bujar ndaj familjes sime në ditën e Ashures, Allahu do të tregohet bujar ndaj tij gjatë pjesës së mbetur të vitit”. (Pastaj Ibn Tejmije diskuton dy grupet e devijuara në Kufe, në Irak, të cilët morën Ashuren si festival, për shkak të bidatit të tyre).

Shi’itët shfaqën një besnikëri të jashtme ndaj Ehlul-Bejtit, ndonëse së brendshmi ata ishin ose heretikë, ose qafira, ose injorantë dhe të lidhur me teka e dëshira. Grupi Nasibij urrente Aliun dhe shokët e tij, për shkak të telasheve dhe vrasjeve që ndodhën. Në Sahih Muslim, u transmetua se Pejgamberi ﷺ tha: “Në (fisin e) Thekif do të ketë një rrenacak dhe një zullumqar“. Rrenacaku ishte el-Mukhtar ibn ebi Ubejd el-Thekefi, i cili së jashtmi i qëndronte besnik dhe e mbështeste Ehlul-Bejtin, kurse e vrau Ubejdullah ibn Zijadin, guvernatorin e Irakut, i cili kishte pajisur grupin që vrau el-Husejn ibn Ali. Pastaj ai (el-Mukhtar) e bëri të qartë se ishte rrenacak duke pohuar se ishte një pejgamber dhe se Xhibrili po i sillte shpallje. Njerëzit i treguan Ibn Umerit dhe Ibn Abasit rreth kësaj dhe i thanë njërit prej tyre: ”el-Mukhtar ibn ebi Ubejd po thotë se po pranon shpallje”. Ai tha: “Të vërtetën e ka thënë, sepse Allahu thotë: “A doni t’ju tregoj (O njerëz) se kujt i shkojnë shejtanët? Ata i shkojnë çdo rrenacaku e gjynahqari“. (Shura: 221)
Edhe tjetrit i thanë: “el-Muktar po thotë se po pranon shpallje”. Ai tha: “Të vërtetën e
thotë: “Dhe vërtet shejtanët i frymëzojnë miqtë e tyre (një njerëzit) për t’u grindur me
juve”. (el-En’am, 121) Sa i përket zullumqarit, ky ishte el-Haxhaxh ibn Jusuf el-Thekefi, i cili kundërshtoi Aliun dhe shokët e tij. El-Haxhaxh ishte një Nasibij, ndërsa el-Muktar ishte Rafidhi (Shi’it), dhe ky Rafidhi ishte rrenacak më i madh dhe më mosbesues, sepse ai pohonte të ishte një pejgamber. Pati shumë telashe dhe luftime mes këtyre dy grupeve në Kufa. Kur el-Husejn ibn Ali u vra në ditën e Ashures, ai u vra nga një grup gjynahqar e keqbërës. Allahu e nderoi el- Husejnin me shehidllëk ashtu siç i nderoi anëtarët e tjerë të familjes së tij dhe ua ngriti pozitën, siç e nderoi Hamzën, Xhaferin, babanë e Tij, Aliun, dhe të tjerët. El-Husejn dhe vëllai u tij el-Hasan janë udhëheqësit e të rinjve në Xhenet. Pozita e lartë mund të arrihet vetëm nëpërmjet vuajtjes, siç ka thënë dhe Pejgamberi ﷺ, kur u pyet se cilët njerëz vuajnë më së shumti: “Pejgamberët, pastaj njerëzit e drejtë, pastaj të tjerët më të mirë sipas radhës, pastaj të tjerët më të mirë sipas radhës. Personi do të vuajë në përputhje me shkallën e tij të besimit. Nëse besimi i tij është i madh, ai do të vuajë më shumë; nëse besimin e ka të vogël, do të vuajë më pak. Besimtari do të vazhdojë të vuajë, derisa të ecën nëpër tokë i pastër nga gjynahet.” [1]

Hasani dhe Husejni mbërritën pozitën e lartë me ndihmën dhe me vendimin e Allahut. Ata nuk vuajtën aq sa edhe paraardhësit e tyre, meqë ata u lindën dhe u rritën gjatë ditëve të lavdishme të Islamit, dhe muslimanët i respektuan dhe i nderuan ata. Pejgamberi ﷺ vdiq, kur ata hala ishin të vegjël, dhe Allahu i bekoi ata duke i sprovuar në atë mënyrë që do t’ua mundësonte t’i mbërrinin anëtarët tjerë të familjes; meqë ata kishin pozitë më të lartë se këta, po ashtu qenë sprovuar. Ali ibn ebi Talib (radi Allahu anhu) ishte më i mirë se këta dy dhe ai u vra si shehid. Vrasja e Husejnit ishte nga gjërat që shkaktuan fitne (çrregullime) mes njerëzve, siç ishte edhe vrasja e Uthmanit, e cila ishte një nga shkaqet më të mëdha për fitne dhe për shkak të së cilës umeti edhe sot është i ndarë. Kështu, Pejgamberi ﷺ tha: “Ka tri gjëra që, kushdo që shpëton prej tyre, përnjëmend ka shpëtuar: vdekja ime, vrasja e një kalifi durimtar dhe Dexhalli”. Pastaj ai vdiq dhe Allahu qe i kënaqur me të dhe e nderoi atë. Disa grupe i shkruan Husejnit dhe i premtuan mbështetjen e tyre, nëse ai del dhe e shpall veten kalif, por ata s’qenë të sinqertë. Kur Husejn e çoi kushëririn e tij tek ata, ata e thyen premtimin dhe e ndihmuan atë kundër të cilit premtuan se do t’i ndihmonin dhe luftuan me të kundër kushëririt të Husejnit. Ata që ishin të urtë dhe e donin Husejnin, si Ibn Abas dhe Ibn Umer si dhe të tjerët, e këshilluan atë të mos shkonte tek ata dhe të mos i pranonte premtimet e tyre. Ata menduan se shkuarja e tij tek ata nuk do t’i shërbente ndonjë interesi dhe se rezultatet s’do të ishin të mira. Gjërat dolën të ishin mu ashtu siç thanë ata, dhe kështu edhe Allahu vendosi të bëhej. Kur Husejni doli dhe pa se gjërat nuk ishin siç kishte pritur, ai kërkoi që ta linin të kthehej apo ta linin t’i bashkëngjitej ushtrisë që po mbronte kufijtë e Islamit apo t’i bashkëngjitej kushëririt të tij, Jezidit, por ata nuk do ta lëshonin të bënte ndonjërën nga këto gjëra po që se nuk do t’u dorëzohej atyre si i zënë rob. Kështu, ai i luftoi ata dhe ata e vranë atë dhe disa nga ata që ishin me të. Ai u vra padrejtësisht, kështu që vdiq si një shehid shedillëku i të cilit ishte nder nga Allahu, dhe kështu iu bashkua anëtarëve të dëlirë e të mirë të familjes së tij. Vrasja e tij i poshtëroi ata që e vranë atë padrejtësisht dhe shkaktoi çrregullime të mëdha mes njerëzve. Një grupim injorantësh dhe zullumqarësh të cilët qenë ose heretikë, ose hipokritë, ose të devijuar e të humbur iu zotuan për besnikëri atij dhe anëtarëve të tij familjes së tij, kështu që e morën ditën e Ashures si një ditë vajtimi e zie, në të cilën ata haptazi shfaqnin ritualet e xhahilijetit (injorancës para-islamike) siç është goditja e faqeve të tyre me shuplaka dhe shqyerja e teshave, duke vajtuar kështu me mënyra xhahilijeti. Por, çka na urdhëroi Allahu të bëjmë, kur të godet fatkeqësia? Personi duhet të qëndrojë guximshëm dhe i duruar përballë fatkeqësisë, të kërkojë shpërblimin dhe të kujtojë se krejt gjërat vijnë nga Allahu dhe atij duhet t’i kthehemi: “… Por përgëzoji të duruarit, të cilët, kur të goditën me fatkeqësi, thonë: ‘Vërtet, Allahut i përkasim dhe, vërtet, Atij do t’i kthehemi’. Mbi ta janë salavatet (bekimet) nga Zoti i tyre dhe mëshira e Tij, dhe këta janë të udhëzuarit“. (Bekare: 155157)

Është transmetuar Pejgamberi ﷺ tha: “S’është prej nesh ai që i godet faqet, i shqyen teshat dhe lutet me lutje të xhahilijetit”. Dhe ai ﷺ tha: “Unë s’kam të bëjë asgjë me ata që godasin (faqet e tyre) dhe shqyejnë (teshat e tyre)”. “Nëse gruaja që vajton nuk pendohet para se të vdesë, ajo do të ngrihet në Ditën e Ringjalljes me pantallona nga katrani dhe më këmishë nga korja“. [2]
Është transmetuar nga Fatimeh bint el-Husejn, nga babai i saj Husejni, se Pejgamberi ﷺ tha: “S’ka njeri që pëson një fatkeqësi dhe, kur ta kujtojë atë, edhe nëse është (ngjarje) e vjetër, thotë Inne lilahi ue inne ilejhi raxhi’un/ Vërtet, Allahu i përkasim dhe, vërtet, atij do t’i kthehemi, Allahu do t’i japë atij shpërblim të barabartë me shpërblimin që i jep në ditën kur ai u godit me fatkeqësinë”. [3]
Kështu Allahu i nderon besimtarët. Nëse fatkeqësia e pësuar nga el-Husejn dhe fatkeqësitë tjera përmenden mbas gjithë kësaj kohe, ne duhet të themi Inna lil-lahi ue irna alejhi raxhi’un/ Vërtet, Allahu i përkasim dhe Atij do t’i kthehemi, siç urdhëruan Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ, në mënyrë që të fitohet shpërblimi si në ditën e fatkeqësisë. Nëse Allahu na urdhëroi të durojmë dhe të qëndrojmë dhe të kërkojmë shpërblimin në kohën e fatkeqësisë, atëherë si qëndron punë pas kalimit të një kohe? Shejtani e bëri tërheqëse këtë për ata që janë të devijuar, kështu që ata e morën ditën e Ashures si ditë zie, kur qajnë e vajtojnë, recitojnë poezi të vajtimit dhe rrëfenjë tregime plot rrena. Çfarëdo nga e vërteta që mund të gjendet në këto tregime nuk i shërben tjetër qëllimi përveç rinimit të ankthit të tyre dhe ndjenjës sektare, si dhe zgjimit të urrejtjes dhe armiqësive mes muslimanëve, gjë që ata e bëjnë nëpërmjet mallkimit të atyre që erdhën para tyre duke thënë shumë rrena dhe duke shkaktuar çrregullime ne botë. Sektet e ndryshme islamike kurrë s’kanë njohur ndonjë grup që ka thënë rrena më shumë apo që u kanë ndihmuar mosbesimtarëve kundër muslimanëve më shumë sesa ky grup i lig e i çorientuar. Ata, bile, janë edhe më të këqij sesa Havarixhët, të cilët dolën nga vatha e Islamit. Ata janë për të cilët Pejgamberi ﷺ tha: “Ata do t’i vrasin muslimanët dhe do t’i lënë adhuruesit e idhujve”. Ky grup bashkëpunon me çifutët, me të krishterët dhe me idhujtarët kundër anëtarëve të familjes së pejgamberit dhe umetit të tij. E liga dhe dëmi që ata u shkaktojnë muslimanëve s’mund të numërohet nga kurrkush, pavarësisht sa elokuent mund të jetë ai. Disa të tjerë, qoftë Nasibij që kundërshtojnë dhe kanë armiqësi ndaj Husejnit dhe familjes së tij, qoftë injorantë që përpiqen ta luftojnë të keqen me të keqe, prishjen me prishje, rrenën me rrenë, dhe bidatin me bidat, i kundërshtuan duke shpikur transmetime në favor të festimit të ditës së Ashures, duke vënë surme dhe kënë, duke harxhuar para në fëmijët, duke zier gjella të posaçme dhe të tjera gjëra që bëhen në bajrame dhe në ngjarje të veçanta. Këta njerëz e bënë ditën e Ashures si bajramin, kurse të tjerë e morën si ditë zie. Të dy palët janë të gabuar dhe të dy palët kundërshtojnë Sunetin, ndonëse grupi tjetër (Shi’itët) janë më të këqij në qëllim, më injorantë dhe haptazi më të gabuar. Por, Allahu na urdhëron të jemi të drejtë dhe të sillemi mirë me të tjerët. Pejgamberi ﷺ tha: “Ata prej jush që jetojnë mbas meje, do të shohin grindje të mëdha. Ju nxis që të mbaheni për Sunetin tim dhe për sunetin e kalifëve të udhëzuar drejt, të cilët do të vijnë mbas meje. Mbahuni për këtë më dhëmballët tuaja. Ruhuni nga çështjet e shpikura, sepse çdo bidat është devijim”. As Pejgamberi ﷺ e as trashëguesit e tij të udhëzuar drejt nuk bënë ndonjërën nga këto gjëra në ditën e Ashures; ata as nuk e bën atë një ditë zie, as ditë festimi. Por, “Kur Pejgamberi ﷺ erdhi në Medine, ai pa çifutët se po agjëronin në ditën e Ashures”. Ai pyeti: “Çfarë është kjo?” Ata thanë: “Në këtë ditë, Allahu e shpëtoi Musën nga përmbytja, kështu që ne agjërojmë në këtë ditë”. Ai tha: “Ne kemi më shumë të drejtë ndaj Musës sesa ju“. [4]
Kështu, ai agjëroi në atë ditë dhe urdhëroi (muslimanët) të agjërojnë në atë ditë. Ai ﷺ nuk u tha muslimanëve të rëndomtë të agjëronin në ditën e Ashures, por thoshte: “Kjo është dita e Ashures. Unë po agjëroj në këtë ditë dhe kushdo që dëshiron të agjërojë në këtë ditë, le të agjërojë”. Dhe tha: “Agjërimi në ditën e Ashures i shlyen gjynahet për një vit, kurse agjërimi në ditën e Arafatit i shlyen gjynahet e dy viteve”. Kur nga fundi i jetës së tij ﷺ dëgjoi se çifutët e kishin marrë ditën e Ashures si një festival, ai tha: “Nëse jetoj deri në mot, sigurisht që do të agjëroj në ditën e nëntë”, dmth., për t’u dalluar nga çifutët dhe për të mos u ngjasuar atyre në bërjen e kësaj dite si festival. Sa u përket gjërave tjera si përgatitja e gjellave të posaçme, me apo pa grurë, apo veshja e teshave të reja, apo harxhimi i parave në familje, apo blerja e furnizimit vjetor në atë ditë, apo bërja e akteve të posaçme të adhurimit si namazi dhe therja e qëllimshme e kafshës në këtë ditë, apo ruajtja e një pjesë së mishit për ta zier me grurë, apo vënia e surmes dhe e kënës, apo bërja e guslit, apo dhënia e dorës shoqi-shoqit, apo vizitimi i shoqi-shoqit, apo vizitimi i xhamive dhe i vendeve të shenjta e kështu me radhë, krejt këto janë bidat i qortueshëm dhe gabim. Asgjë nga këto s’kanë të bëjnë me sunetin e të Dërguarit të Allahut ﷺ apo me rrugën e Kalifëve të udhëzuar drejt. Kjo s’qe miratuar nga ndonjë nga Imamët e muslimanëve, si Maliku, Theuriu, el-Lejth ibn Sa’d, Ebu Hanife, Euzai, Shafi’iu, Ahmed ibn Hanbeli, Is’hak bin Rahoja, dhe asnjë nga dijetarët e muslimanëve. Feja islame bazohet në dy parime: që të mos adhurojmë gjë tjetër krahas Allahut dhe ta adhurojmë atë në mënyrën që Ai ka urdhëruar (dmth., Kurani dhe suneti i të Dërguarit ﷺ), jo nëpërmjet bidateve të qortueshme. Allahu fuqimadh thotë: “… Kushdo që shpreson të takojë Zotin e vet, le të bëjë punë të mira dhe të mos shoqërojë ortakë në adhurimin ndaj Zotit të vet“. (Kehf: 110) Vepra të mira janë ato që duhen nga Allahu dhe nga i Dërguari i Tij ﷺ, ato që janë urdhëruar në Islam dhe në sunet. Umer ibn el-Hatab thoshte në duanë e tij: “O Allah, m’i bëjë të mira krejt punët e mia dhe bëji ato vetëm për hir Tëndin, dhe mos lër hise për këdo tjetër në to”.

Ibn Tejmije, “Fetaua el-Kubra” voll. 5

————————————

[1] Tirmidhiu

[2] Buhariu

[3] Musned

[4] Buhariu